Blushi: “Shqipëria më e papunë se kurrë”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, u takua ditën e 1 Majit me dhjetëra të papunë të disa fshatrave të Korçës, të cilët i treguan atij se për shkak të mungesës së një pune të qëndrueshme janë të detyruar të sigurojnë punë periodike në të zezë.
Deputeti i PS-së u shpjegoi atyre se në programin e ri qeverisës të Partisë Socialiste parashikohet që varfëria të përgjysmohet. Blushi tha se për shkak të kësaj qeverie, Shqipëria është më e papunë se kurrë. “Për fat të keq, në Korçë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, 1 Maji është dita e të papunëve, sepse fatkeqësisht ka më shumë njerëz që nuk punojnë se sa ata që punojnë. Në Shqipëri, fuqia blerëse ka rënë, sepse ekonomia është më e varfër nga çfarë ka qenë dhe sot në 20 vitet e fundit, Shqipëria është më e papunë se kurrë. Është dita për të dhënë dhe për t’u ngritur kundër papunësisë, sepse beteja jonë e re dhe e vjetër, është ajo kundër papunësisë dhe varfërisë”, - tha Blushi.
Veliaj: “Në Shqipëri mungojnë mundësitë për punësim”
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kreu i G99-s, Erion Veliaj, vizitoi në qytetin e Elbasanit disa emigrantë që nisen shpesh për punë sezonale në Greqi. Veliaj dëgjoi nga qytetarët që arsyeja e tyre për largimin e shpeshtë dhe të vështirë ishte mungesa e mundësisë për të punuar brenda vendit. Veliaj tha se 1 Maji nuk është vetëm dita për të festuar, por është dita për të kujtuar ata njerëz që në mungesë të shpresës dhe mundësive në vend ndërmarrin rrugën e vështirë të emigracionit. Edhe këta njerëz harrohen dhe braktisen nga qeveria e tyre, e cila jo vetëm nuk u krijon mundësinë ta sigurojnë këtu jetesën, por nuk negocion për asnjë çështje të tyre. “Qindra punëtorë në Shqipëri zgjedhin të vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre sepse alternativa pra mungesa e punës është akoma dhe më e mbrapshtë. Për këta qindra mijëra qytetarë qeveria jonë nuk negocion. Papunësia është sot plaga më e dhimbshme e shqiptarëve”, - tha Veliaj.
2 Maj 2009