E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria kushtezon marrjen ne pune me mesimin e programit



Eljona Ballhysa
Për të zënë një vend pune në administratën shtetërore duhet medoemos të njohësh programin e qeverisë “Berisha” 2005-2009. Megjithëse mandati i qeverisë përfundon për gati dy muaj, ky është një ndër kushtet parësore për t’u punësuar në një nga institucionet shtetërore. Madje kjo kërkesë tashmë është bërë aq e ligjshme, saqë është e shkruar në çdo faqe zyrtare të ministrive në internet, në linkun për vendet vakante në institucionin përkatës. Megjithëse pozicioni i specialistit nuk është një post politik, gjithsesi, edhe për këtë post duhet të njohësh programin e qeverisë, pavarësisht faktit se specialistët, sipas legjislacionit, pretendohet se janë të pavarur, kanë të drejtën e përfitimit të statusit të nëpunësit civil dhe janë pjesë e administratës të çdo qeverie, qoftë e djathtë, qoftë e majtë. Administrata ka një nivel hierarkie ku politikat qeverisëse realizohen nga personat që mbajnë poste kyçe, që ndryshe quhen poste politike, si dhe nga titullari i institucionit, ku në rastin konkret janë ministrat. Ndërsa për specialistët, gjatë një konkursi për një pozicion pune të tillë, zakonisht testimi kërkohet për njohuritë profesionale për fushën përkatëse. Por, në rastin e administratës së Berishës është mjaft e rëndësishme që specialistët të kenë njohuri për programin qeverisës.
Pozicionet
Në faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Ekonomisë është bërë publike një vend vakant për pozicionin e specialistit në sektorin e administratës të shoqërive publike në Drejtorinë e Administrimit të Pronës Publike. “Konkurrimi do të bazohet në njohuritë mbi prioritetet e qeverisë shqiptare në lidhje me zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor, hapja e tregut, konkurrenca e lirë dhe e ndershme (programi qeverise 2005-2009 www.keshilliministrave.al)”, - shkruhet në kushtet që kërkohet të plotësojë konkurrenti për këtë post. E njëjta kërkesë është edhe për pozicionin e specialistit në sektorin e instrumenteve të parazgjerimit në Drejtorinë e Mbështetjes Institucionale dhe Procesit të Integrimit, në Ministrinë e Integrimit. “Konkurrimi do të bazohet në njohuritë për rekomandimet e qeverisë në lidhje me synimet themelore dhe reformat më të rëndësishme të qeverisjes për zhvillim dhe integrim (Programi i qeverisë www.keshilliministrave.al)”, - shkruhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Integrimit. E njëjta kërkesë vlen edhe për pozicionin e specialistit në sektorin e marrëdhënieve me jashtë në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Informimit të Publikut në Ministrinë e Punëve Publike. Edhe Ministria e Brendshme e ka kusht parësor njohjen e programit të qeverisë pozicionin e specialistit në sektorin e kontabilitetit dhe administrimit të pronave në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse. Kjo kërkesë gjen shtrirje të gjerë në të gjitha ministritë e qeverisë “Berisha”.

Patozi, nga Vlora, bën fushatë në komunat e Matit

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, pas takimeve në komunat e Vlorës, tashmë e ka kthyer vëmendjen te komunat e Matit. Gjatë ditës së djeshme Patozi zhvilloi një takim me banorët e komunës Baz të rrethit të Matit. “Kundërshtarët tanë politikë sot po vajtojnë e ankohen. Ata thonë se ne po e përdorim aplikimin për statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian dhe Komisionin hetimor të ngritur për të hetuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për fushatë elektorale. Ne nuk kemi nevojë për aksione të tilla politike për të mundur Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj, pasi ata ne i mundim edhe pa bërë fushatë elektorale, sepse nuk kemi nevojë të flasim shumë kur punët tona flasin vetë”, - është shprehur gjatë takimit të tij në komunat e Matit nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi.

Olldashi bën bilancin e qeverisë në komunat e Lushnjës

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, gjatë takimeve që zhvilloi në komunat Krutje, Allkaj dhe Grabian të Lushnjës, bëri një bilanc krahasues të investimeve të kryera në këto komuna nga kjo maxhorancë qeverisëse dhe ajo socialiste. “Premtuam se do të investonim dhe e kemi bërë. Mjafton të bëjmë një pasqyrë krahasuese. Në Krutje, në tre vjet, qeveritë socialiste kanë investuar 300 mijë dollarë, në 2 milionë dollarë, rreth shtatë herë më shumë dhe këtu nuk kemi llogaritur disa rrugë të përuruara se fundi. Janë vetëm investime të bëra përmes transfertës që ne i kemi dhënë komunës. Qeverisja e Partisë Demokratike ka investuar njësoj për të gjitha qytetet e komunat e vendit, nisur nga nevojat dhe projektet e tyre, pa parë se cila forcë politike qeveris në to”, - është shprehur Olldashi.

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›