E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Të qartësohet në statut mandati i kryetarit



Deputeti socialist dhe anëtar i kryesisë, Ben Blushi, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshëm të asamblesë kërkoi që ndryshimet të statut të përfshinin edhe propozimet e bëra nga disa deputetë, të quajtur Mendimi Ndryshe. Sipas Blushit, drafti duhet të kishte përcaktuar në një nen të tillë, që kur kryetari i PS-së humb zgjedhjet, nuk ka të drejtë të rikandidojë pas dorëheqjes. Ky propozim u hodh poshtë dje në mbledhjen e asamblesë. Blushi kërkoi që të gjitha propozimet të votohen me votim të fshehtë. “Meqenëse është e vështirë që sot të votohen të gjitha propozimet, 3-4 propozime thelbësore të shprehen në mënyrë të thjeshtë dhe t’i çohen kongresit dhe aty të kalojnë me votim të fshehtë. Përderisa ne kërkojmë kutitë nga Berisha, duhet të vendosim kutitë edhe në parti”, është shprehur Blushi dje në asamble. Sipas tij, edhe pse është përdorur pyetësori e janë pyetur rreth 5 mijë socialistë, vota e fshehtë është ajo që garanton demokraci të brendshme. Blushi i ka kërkuar kryetarit të asamblesë, Gramoz Ruçi, që paketa e sjellë nga grup i punës të mos miratohej nga asambleja, por ajo t’i çohej si propozim kongresit, që të ishte i hapur edhe për propozime të tjera. Por drejtuesi i asamblesë, Ruçi, i është përgjigjur se grupi i punës i diskutoi këto propozime dhe mbi bazën e përgjigjeve të pyetësorit dhe ky forum do të ndjekë praktikën e përdorur ndër vite, miratim në asamble dhe diskutim dhe propozime në kongres. “Ne kemi një rregull të përhershëm. S’ka ndodhur kurrë që të mos votojmë në asamble. Ne i votojmë, i çojmë në kongres dhe pastaj çfarë propozimesh bëhen aty, i votojmë atje”, mësohet të jetë shprehur Ruçi. Blushi ka mbështetur organizimin e partisë në bazë rrethi, duke sjellë edhe përvojën e tij elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›