Rama: PS i fitoi zgjedhjet e 28 qershorit
BLEDAR HOTI
Kryetari i PS-së, Edi Rama, në diskutimin e tij në Asamblenë Socialiste e ka cilësuar të pashmangshme zhvillimin e protestave. Në fjalën hapëse të këtij forumi, nën një sfond ku ishte shkruar “30 prill, hap kutitë ose largohu”, Rama deklaroi se “kur fatet e një vendi merren peng nga një pushtet i dalë jashtë vullnetit të popullit, qytetarëve u lind e drejta dhe detyrimi të rimarrin në dorë fatet e tyre. Kur fatet e një vendi dhe të një populli nëpërkëmben nga një pushtet si ky që ka grabitur votat, për të grabitur Shqipërinë, një opozite si e jona i lind detyrimi i pashmangshëm që të bëhet njësh me popullin, për të vënë në vend liri dhe të drejta që nuk negociohen”. Kriza ekonomike, transparenca për zgjedhjet janë një ndër arsyet se pse opozita, sipas Ramës, duhet të realizojë protesta. “Qeveria e Sali Berishës nuk fundosi vetëm zgjedhjet, duke i humbur Shqipërisë një tjetër shans të madh, ajo po fundos edhe ekonominë shqiptare, duke bërë të humbasim mijëra vende pune çdo muaj. Protesta jonë për transparencë është njëkohësisht barrikada jonë kundër rrënimit ekonomik. Barra e opozitës sot, është bërë zëri i shpresës dhe shëmbëlltyra e indinjatës qytetare, për tatëpjetën e demokracisë dhe ekonomisë ku po rrëshqet përditë Shqipëria. çdo ditë një protestë, për të mbërritur më 30 prill në Bulevardin e Tiranës, në mesazhin e forcës së arsyes popullore për hapjen e kutive, largimin e Qeverisë, ndalimin e rrënimit ekonomik”, deklaroi Rama. Kryesocialisti ndërkohë shprehu bindjen se partia e tij i ka fituar zgjedhjet e 28 qershorit. “Sot, plot 8 muaj pasi PS filloi aksionin e saj, mes mjegullës së dendur dhe agresionit dhe diversionit të pushtetit, ka dalë e qartë si drita e diellit se në kutitë e mbyllura me pahir, fshihet krimi i tjetërsimit të rezultatit të zgjedhjeve. Sot e dinë jo vetëm ata që e kanë kryer atë krim, por e kanë marrë vesh të gjithë, se në 28 qershor, Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh dot, vetëm se zgjedhjet u morën peng, duke mbushur kutitë si në Ruzhdie. Sot është bindje për të gjithë se Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjedhë dhe më keq akoma, sot shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre çmimin e këtij krimi duke humbur vende pune, duke humbur fuqi blerëse, duke humbur pavarësi ekonomike në një tunel borxhesh, që tanimë po prekin edhe brezin e ardhshëm”, tha Rama. Kryesocialisti theksoi se “me zgjedhje si në Ruzhdie s’ka asnjë mundësi të ketë demokraci, drejtësi, ekonomi si në Evropë, prandaj hapja e kutive të Ruzhdieve dhe garantimi i popullit shqiptar që ato që ndodhën më 28 qershor nuk do të përsëriten më kurrë, përbën një kusht themelor për të dalë jo vetëm nga kriza e demokracisë, por edhe nga kriza e ekonomisë”.