E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton vetëvrasjen me tre fëmijët për pronën, Haxhiu: Pres drejtësi, ndryshe aty është tarraca



Etleva Delia

Një 52-vjeçar kërcënoi dje për 35 minuta se do të hidhej nga kati i gjashtë i një pallati përballë Ministrisë së Drejtësisë, nëse nuk zgjidhej çështja e pronësisë së tij, në një truall në Durrës. Ferit Haxhiu, 52 vjeç, pasi ka ardhur nga Durrësi në Tiranë bashkë me tre fëmijët, ka zgjedhur një mënyrë origjinale proteste para Ministrisë së Drejtësisë, e cila për pak sa nuk u kthye në një tragjedi të rëndë familjare. Pasi ka provuar rrugët institucionale për të zgjidhur hallin e tij, Ferit Haxhiu, nga lagjja 8 e Durrësit, kërcënoi publikisht me jetën e tij dhe të 3 fëmijëve të mitur. Ai ka ardhur dje nga Durrësi me automjete të rastit dhe pasi qëndroi disa kohë para Ministrisë së Drejtësisë në përpjekje për të takuar zyrtarë të saj, tentoi të hidhej bashkë me fëmijët nga tarraca e një pallati. Policia hyri në negociata me 52-vjeçarin dhe pas ndërhyrjes së specialistëve të forcave speciale RENEA, është arritur shmangia e tragjedisë. Ndërsa Feriz Haxhiu qëndronte në katin e gjashtë të pallatit, fëmijët mbanin në duar një letër të madhe, ku bëheshin akuza se njerëz të korruptuar dhe me pushtet kishin përvetësuar pronën në Durrës.
Harakiri me tre fëmijët
Mëngjesin e djeshëm Ferit Haxhiu ka përgatitur një pankartë në të cilën shkruhej: “Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, korrupsioni nga njerëz të veshur me pushtet dhe me vulën e shtetit që kanë grabitur pasurinë private dhe i kanë detyruar këta fëmijë të kalojnë në ekstrem. Kërkojmë drejtësi të menjëhershme dhe plotësimin e kërkesave të fëmijëve...”. Duke mbajtur në duar letrën, 52-vjeçari mori tre fëmijët, doli nga banesa e tij dhe u drejtua për tek Bashkia e Durrësit. Pasi ka qëndruar disa minuta aty, Ferit Haxhiu tentoi të hynte brenda bashkisë, por u ndalu nga një polic bashkiak. Protagonisti i ngjarjes sqaroi punonjësin e bashkisë për problemin që kishte, por mori përgjigjen se duhej të shkonte në Tiranë. Më pas 52-vjeçari bashkë me fëmijët, ka hipur në autobusin e linjës për në Tiranë, për të vazhduar protestën e tij para Ministrisë së Drejtësisë. Sipas burimeve nga policia, Ferit Haxhiu proteston për 50 dynymë tokë. Ai pretendonte se është përjashtuar nga e drejta e parablerjes së një objekti të privatizuar në vitin 1993 dhe që ishte i ndërtuar në pronën që ai kishte bashkë me vëllezërit tjerë. Haxhiu pretendon se familja e tij disponon të gjitha dokumentet origjinale, që vërtetojnë pronësinë për truallin në Shkozet.
Kërcënimi në Tiranë
Dje rreth orës 13:00, në pallatin 6-katësh, përballë godinës së Ministrisë së Drejtësisë, Ferit Haxhiu bashkë me tre fëmijët e mitur ngjiti shkallët sikur të ishte banor i godinës. Së bashku me tre fëmijët, 52-vjeçari kaloi në tarracë, pasi gjeti hapur portën e saj dhe u ngjit duke u afruar te parmaku. Më pas ai kërcënoi se do të hidhej bashkë me fëmijët e mitur, 12, 10 dhe 8 vjeç. Banorë të zonës pranë bulevardit “Zogut i Parë” dhe kalimtarë të rastit, u mblodhën rreth pallatit kur panë tre fëmijët e mitur, dy djem dhe një vajzë të moshës 8-12 vjeç që rrezikonin jetën. Vazhdimisht personi i rritur që ndodhej bashkë me ta, fliste në celular. Policia e Tiranës u njoftua për ngjarjen dhe dërgoi njësitë përkatëse pranë vendit të ngjarjes. Një zjarrfikëse, efektiva të Komisariatit Nr.3, të seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit dhe drejtues të lartë të policisë, shkuan menjëherë pranë pallatit, duke lajmëruar edhe negociatorët e forcave RENEA. Dëshmitarët thanë se personi, rreth të cilit qëndronin 3 fëmijët, lexonte një letër ku herë pas here dëgjoheshin fjalët “dua pronat e mia, askush nuk mi merr pronat e mia!”. Për 35 minuta Ferit Haxhiu ka qëndruar në tarracën e pallatit, duke kërcënuar se do të hidhej bashkë me fëmijët. Komunikimi i parë i policisë me 52-vjeçarin u realizua nga drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, me anë të telefonit e më pas nga afër. Për rreth 15 minuta, negociatorët e RENEA-s u desh ta bindin Ferit Haxhiun të zbriste nga tarraca. Pas ngjarjes, babai me gjithë fëmijët nuk u shoqëruan në polici. Ata u pritën në Ministrinë e Drejtësisë, ku kanë bërë të ditura pretendimet e tyre në lidhje me çështjen e pronësisë.

Protesta në Durrës Ferit Haxhiaj,
së bashku me tre fëmijët e tij të mitur, e filloi që në Durrës protestën e tij,
bashkë me kërcënimet se do të vetëvritej, nëse nuk i kthenin pronat që i kishin vjedhur prej gati 17 vitesh. Mëngjesin e djeshëm ai ka protestuar para Bashkisë së Durrësit, por aty e kanë sqaruar se të drejtën e tij mund ta kërkonte në Tiranë.

Rruga gjyqësore
Ministria e Drejtësisë pohon se çështja për të cilën ankohet Ferit Haxhiu ka marrë në mënyrë përfundimtare zgjidhje në rrugët gjyqësore. Pasi ka vendosur Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, familja Haxhiu nuk ka bërë ankimim të vendimit në afatin e duhur. Rrjedhimisht sipas ligjit, ka humbur e drejta për ankimimin e vendimit të gjykatës, e cila nuk i ka njohur pronësinë babait të tre fëmijëve.

Rreziku
Rrezikimi serioz i jetës së tre fëmijëve të mitur, të cilët përjetuan dje çaste tmerri në katin e gjashtë të pallatit, mund t’i kushtojë kujdestarinë e tyre 52-vjeçarit banues në lagjen Nr.8 të Durrësit. Policia ende nuk ka filluar procedura hetimore në lidhje me ngjarjen, për shkak se ajo nuk pati pasoja, megjithatë sipas ligjeve, nuk përjashtohet mundësia e penaliteteve për tronditjen dhe rrezikun e shkaktuar fëmijëve.

Policët, 52-vjeçarit: Atje lart s’mund ta zgjidhësh hallin që ke

Ferit Haxhiaj: Kërkoj pronat e mia. I kam të gjitha dokumentet e pronësisë, por askush nuk do t’i shohë. Kam mbetur dyerve të gjykatave dhe askush nuk më dëgjon, nuk kam zgjidhje tjetër.
Përfaqësuesit e policisë: Nëse kërkon të takosh ndonjë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, hyjmë ne garant që ti ta realizosh këtë takim dhe të bisedosh për çfarëdolloj problemi që të kesh.
Ferit Haxhiaj: Asnjë pushtetar nuk pranon t’i japë zgjidhje problemit tim. Unë e kam provuar edhe herë të tjera. Ato prona janë të miat, janë të fëmijëve të mi, unë do rris fëmijët.
Përfaqësuesit e policisë: Prit vetëm pak momente, sepse gjithçka do të zgjidhet. Do të sjellim tani një përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë që edhe ti të bindesh që do të të dëgjojnë dhe do të të presin për të biseduar.
Ferit Haxhiaj: E shikoni këtë letër? Të gjitha çfarë kam shkruar këtu janë të vërteta. Mua m’i kanë vjedhur pronat dhe çdo përpjekje që kam bërë për të m’i rikthyer, ka qenë e kotë. Unë kërkoj drejtësi.
Negociatorët: Kjo nuk është zgjidhje. Asgjë nuk fiton nëse hidhesh nga aty. As ti dhe as fëmijët e tu.
Ferit Haxhiaj: Nëse askush nuk e zgjidh problemin tim, as unë nuk kam zgjidhje tjetër.
Negociatorët: Provo të zbresësh dhe të bisedosh. Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë po pret të bisedojë me ty. çdo gjë do rregullohet, por kur të zbresësh në tokë, jo aty lart.

Ministria
Hetim për pronat e Haxhiut

TIRANE - Ministria e Drejtësisë, menjëherë pas takimit të përfaqësuesve të saj me Ferit Haxhiun, premtoi se do të nisë një hetim administrativ, në lidhje me pretendimet e 52-vjeçarit, për pronat e tij në Shkozet të Durrësit. Sipas ministrisë, babai i tre fëmijëve është pritur nga persona të administratës së ministrisë, ku ka shpjeguar arsyet që e kanë çuar drejt kërcënimit me vetëvrasje. Haxhiaj pretendon se ishte përjashtuar nga e drejta e parablerjes së një objekti të privatizuar në vitin 1993. Ai ka shpjeguar në Ministrinë e Drejtësisë së në vitin 2002 ai i ishte drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte hedhur poshtë kërkesën e këtij të fundit. Pas kësaj, Haxhiaj nuk e kishte apeluar dhe ankimuar më tej vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ministria i kërkoi një ankesë me shkrim 52-vjeçarit.

Gruaja: Fëmijët i mori pa dijeninë time
Marjana Haxhiu: E dija që do ta kryente këtë akt

DURRES - E shoqja e Ferit Haxhiut, nëna e 4 fëmijëve, tre prej të cilëve shoqëronin të atin në tentativën vetëvrasëse, tha dje se kishte dijeni për një akt të tillë. Marjana Haxhiu, në një komunikim të shkurtër që ka mundur të japë pak kohë pas ngjarjes së rëndë, thotë se i shoqi kishte paralajmëruar se do të ndërmerrte një veprim ekstrem, por jo se do të përfshinte edhe fëmijët dhe se kur e çfarë do të bënte konkretisht. Ajo nuk ka qenë në shtëpi kur 3 prej fëmijëve, bashkë me të atin, kanë dalë nga banesa në lagjen 8 të Durrësit paraditen e djeshme. Ka pritur për kthimin e tyre, pa e ditur për momentet e vështira që po përjetonin ata. Por, pamjet e shfaqura në televizor janë parë nga të afërmit e saj dhe fqinjët, të cilët menjëherë kanë njoftuar gruan për atë që po ndodhte në kryeqytet. Ankthi ka shoqëruar nënën e fëmijëve, derisa policia ka mundur të zbresë të shoqin dhe tre të vegjlit, pa u lënduar. "E dija që do të kryente një veprim të tillë. E thoshte shpesh nëpër shtëpi se nuk po zgjidhej kjo puna jonë", arrin të thotë gruaja në momentet kur Ferit Haxhiu sapo ishte kthyer në banesë. I shoqi konfirmon këtë thënie, duke shtuar se të dy ishin pa punë dhe nuk po gjente një rrugëzgjidhje për çështjen dhe për të fituar të drejtën që sipas tij i takon. Të dy, burrë e grua kanë mbajtur veten dhe katër fëmijët e vegjël me ato pak lekë që kanë nxjerrë vetëm nga punë sezonale. Por kohët e fundit, laku ishte shtrënguar deri në fund, çka duket se ka provokuar dhe vendimin ekstrem të të zotit të shtëpisë. E shoqja e tij ka përsëritur faktin se nuk e dinte se burri do të shfrytëzonte dhe fëmijët në një iniciativë që u rrezikonte jetën nga momenti në moment. Megjithatë, ashtu si dhe familjarët e tjerë të Ferit Haxhiut, edhe ajo e ka pranuar në heshtje këtë mënyrë "të të vendosurit të drejtësisë". Pak minuta pas kthimit në banesë, familja Haxhiu është izoluar brenda saj, duke mos dashur të bëjë komente të tjera për ngjarjen që tronditi të gjithë opinionin. Kjo për shkak, se 52-vjeçari mbajti për mbi gjysmë ore, në cep të tarracës së pallatit 5-katësh dhe tre fëmijët e mitur.

Toka 50 dynymë në Shkozet, shkak i vetëgjyqësisë

DURRES – Historia e pronës prej 50 dynym tokë në Shkozet të Durrësit, për të cilën njëri nga pronarët e saj tentoi vetëvrasjen dje me gjithë tre fëmijët, nis pas rënies së regjimit komunist. Në vitin 1993, familja Haxhiu, kërkoi njohjen e pronësisë dhe përcaktimin e kufijve të saj, e cila ishte përdorur gjatë diktaturës për nevoja të shtetit. Në tokën në pronësi të shtatë vëllezërve Haxhiu në Shkozet të Durrësit, gjatë regjimit komunist ishte ngritur NSHN-ja. Vëllezërit Haxhiu pretendojnë se janë pronarë të tokës që në kohën e pushtimit italian. Ata janë me origjinë nga Kosova, por janë vendosur herët në Durrës. Duke pretenduar pronësinë e truallit, në vitin 1992, vëllezërit Haxhiu, përfshi edhe 52-vjeçarin që tentoi dje vetëvrasjen në Tiranë në shenjë proteste, kanë kërkuar njohjen e pronësisë dhe kufijve ndarës të tokës. Në truall gjatë regjimit komunist ishte ngritur ish-NSHN dhe pas viteve ‘90, prona ishte privatizuar nga ish-drejtori i këtij institucioni dhe persona të tjerë. Ndërkohë, vëllezërit kërkonin njohjen e pronës ose minimumi kompensim për marrjen e saj nga një palë tjetër. Pasi çështja nuk është zgjidhur në rrugë administrative, pretendentët për pronarë kanë ndjekur rrugët ligjore. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, familja Haxhiu ka bërë padi në Gjykatën e Durrësit, duke kërkuar njohjen e pronësisë dhe më pas kompensimin për pronën e zënë pas privatizimit. Gjykata e Durrësit, pasi ka dëgjuar pretendimet e të dy palëve, ka vendosur kundër familjes Haxhiu, duke mos i njohur pronësinë, por as të drejtën për kompensim. Ministria e Drejtësisë pohoi se pala paditëse nuk ka bërë apelim të këtij vendimi brenda afatit ligjor, duke humbur kështu të drejtën për të vazhduar më tej shqyrtimin e çështjes në rrugë ligjore. Idriz Haxhiu, vëllai i personit që tentoi dje të vetëvritej së bashku me tre fëmijët, tha se personat që kishin privatizuar tokën e tyre në Shkozet “ishin më të fortë dhe i fituan gjyqet”. Sipas tij, gjykatat ua mohoi të drejtën e pronësisë në të gjitha paditë që ata bënë. tr.so

Ferit Haxhiu: Pres drejtësi, ndryshe aty e kam tarracën!

DURRES/ OERD ULQINI

Personazhi deri dje i panjohur, Ferit Haxhiu mbërrin tejet i tronditur dhe me sy të përlotur në rrugicën e lagjes së tij. Rreth orës 15 e 30 minuta, ai troket i mallëngjyer në derën e shtëpisë, në lagjen periferike të Durrësit, me duart që i dridhen nga emocionet negative prej të qëndruarit në lartësinë e pallatit. Sapo arrin në lagjen periferike të Durrësit, Haxhiu përshëndetet përzemërsisht edhe me të gjithë banorët, të cilët e kishin ndjekur me ankth njeriun e lagjes së tyre, nga mediat elektronike që përcollën rrufeshëm lajmin. Pasi takon përzemërsisht familjen e tij dhe banorët, 52-vjeçari Ferit Haxhiu gjen edhe dy minuta kohë për të folur me "Panoramën". "Tarraca është prapë atje…!". Kjo është përgjigja e vetme ndaj kërkesës për intervistë, ndërkohë që personazhi zbulon shkurtazi edhe detaje të jetës së tij të dëshpëruar. Deri në mesditën e së mërkurës, Feriti, baba i 4 fëmijëve ishte një njeri krejt normal për lagjen dhe thuajse i panjohur për Durrësin. Por "epopeja" e tij në kryeqytet mori dhenë, ndaj njerëzit filluan ta lakonin emrin e tij aq dendur në orët e pasdites në Durrës, saqë ai u bë një njeri mjaft popullor. Ndoshta këtu ka ndikuar edhe fabula e trishtuar e jetës së tij, ku njeriu që duhej të trashëgonte 50 000 metra katror në Shkozet, jeton me pesë frymët e tjerë të familjes së tij në një shtëpizë 40 metra katror. 52-vjeçari thotë se "në Shkozet, në ish-ndërmarrjen e NSHN-së gjendet prona e trashëguar nga të tijtë, që përpara Luftës së Dytë Botërore". Ai nuk flet asnjë detaj më tepër për pronën, duke thënë se "tashmë pas negociatave me policinë dhe juristët ka rifituar besimin e tij te drejtësia", por duke kërcënuar tërthorazi se "në rast të kundërt tarraca aty është…!". Vitet e demokracisë kanë qenë të trishtuara për Ferit Haxhiun, i cili deri në vitin 1991 ka qenë punëtor në Shkozet, në ndërmarrjen e Nish-Gomës. Atje ka punuar nga periudha 1981 e deri më 1991. I gjendur pa punë në mesin e viteve '90, Feriti ikën në Itali si emigrant ekonomik. "Kam punuar në Novara për tre vjet rresht. Nuk kisha asnjë mundësi tjetër për të mbajtur familjen. Në Itali kam punuar pa dokumente, derisa u ktheva, pasi nuk u legalizova dot si emigrant", thotë ai për "Panorama". Pas kthimit nga Italia, Feriti nuk arriti asnjëherë të gjente një punë për të qenë, por punonte me ditë në të zezë sa herë që paraqitej rasti. Ndërkohë që pavarësisht se u binte prapa letrave për pronën e vjetër që pretendon, asnjëherë nuk arriti të merrte tapitë. Aktualisht, njeriu i dëshpëruar i mesditës kryeqytetase jeton së bashku me bashkëshorten e tij të papunë dhe katër fëmijët (dy djem dhe dy vajza) përkatësisht 14, 12,10 dhe 8 vjeç. Banesën e vogël e ka të tijën, si durrsak i vjetër që është, por thotë se "me rritjen e fëmijëve e ka të domosdoshme një mjedis shtesë, ndaj synon që edhe ballkonin me një sipërfaqe prej 15 metrash katrorë ta mbulojë me çati për të fituar një dhomë fëmijësh". "Jemi pa punë dhe nuk kam para, ndaj edhe nuk e kam ndërtuar dot dhomën", tha 52-vjeçari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›