Fino: Pse s’jam dakord me strukturën e re të PS
Deputeti Bashkim Fino paraqiti dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare argumente kundër strukturës së kryetarit socialist dhe Asamblesë së rrethit. Fino propozoi ngritjen e strukturës socialiste në bazë të Zonës së Administrimit Zgjedhor. Sipas tij, kryetari i rrethit nuk mund të ndjekë aktivitetin politik dhe organizativ, për shkak të hapësirës së madhe që ai ka. “Unë nuk jam për ngritjen e Asamblesë së rrethit, sepse rikthimi te rrethi është rikthim në një traditë, që ne e kemi pasur më parë, në disa zyra partie, ku merrej kontakt me njerëzit dhe disa struktura që mbanin kontakte me strukturat qendrore të partisë”, u shpreh Fino. Sipas tij, edhe nga pikëpamja e ndarjes administrative, rrethi nuk ekziston më si njësi. “Gjithashtu nuk ekziston një ndarje administrative e rrethit dhe në shkallë rrethi nuk ka dhe nuk prodhohet pushtet. Madje në hyrje të statutit të partisë, ne themi se PSSH ushtron veprimtarinë e saj në bazë të Kushtetutës. Në këtë kuptim, kjo e fundit nuk ka më nocionin e rrethit dhe detyrimisht PS-ja s’mund të aplikojë organizime strukturore, që nuk i përfshin edhe Kushtetuta”, u shpreh Fino. Ish-sekretari organizativ i PS-së, mbështeti krijimin e strukturës së ZAZ-së. “Unë jam për krijimin e strukturës së zonës, ZAZ, pasi kjo strukturë do të jetë më efektive dhe më rezultateve. Ndërtimi i partisë duhet t’i përgjigjet ndarjes administrative të vendit dhe meqë ne themi se jemi parti elektorale dhe funksionale, do të thotë se kërkojmë fitoren në komunë, bashki dhe qark. Pra, ZAZ përfshin në përbërjen e saj disa njësi vendore, bashki ose komuna”, tha dje Fino në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.