PS, me program të ri politik
Aristir Lumezi
Asambleja socialiste miratoi dje në parim programin e ri politik të saj. Për herë të parë socialistët u “shtrijnë dorën” dy shtresave sociale, të cilat ishin quajtur më parë tabu për ta, ish-të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve. Në relacionin e paraqitur dje në mbledhjen e asamblesë, një nga anëtarët e grupit të punës, Pandeli Majko, është shprehur se periudha e kalimit të PS-së sërish në opozitë e kushtëzoi atë të shohë me seriozitet e me më kujdes edhe kategori të tjera sociale. “Kalimi i partisë sonë në opozitë, ndryshimet ekonomike dhe produktet e krizave të ndryshme, pas ardhjes së PD-së në pushtet, marrëdhëniet e reja që Partia Socialiste ka deklaruar me seriozitet karshi shtresës së pronarëve të vjetër, tanimë të shpronësuar për herë të dytë nga politikat qeveritare, trajtimi dhe vlerësimi i shtresës së mënjanuar të ish-të përndjekurve politikë të komunizmit, marrëdhëniet me shtresat e klasës së mesme të krijuara në këto vite dhe hapja e partisë drejt liberalizimit të marrëdhënieve të saj me shtresat e popullsisë dhe problemet që kërkojnë zgjidhje ishin indikatorë, që u diskutuan me seriozitet nga grupi i punës për ndryshimet e nevojshme në program”, thuhet në relacionin e grupit të punës për programin. Por në programin e ri, i cili mbetet në përpunim të vazhdueshëm deri në Kongresin e 18 prillit, nuk lihen mënjanë edhe veteranët e luftës dhe shtresa e mesme e popullsisë. “Ne vlerësojmë dhe nderojmë historinë tonë kombëtare, Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe rolin e kontributin e veteranëve të luftës e të punës si krijues të kulturës antifashiste dhe pasurisë së vyer kombëtare. Politikat tona sociale do të respektojnë Statusin e Veteranit dhe shërbimet e kujdesi ndaj tyre do të jetë prioriteti ynë i vazhdueshëm”, thuhet në një nga pikat e programit politik të socialistëve.
Programi i ri ka bërë disa rregullime edhe në kapitullin e çështjeve ekonomike. Në kapitullin e tretë “Për një ekonomi sociale të tregut” janë propozuar ndryshime me synimin për të përmirësuar më shumë atë dhe për ta përshtatur me koncepte më të thjeshtëzuara apo të reja. Ndryshimet fillojnë që në titull, duke e ndryshuar në “Modeli ekonomik i zhvillimit” dhe vazhdojnë me strukturën e saj. Një risi në këtë kapitull janë përfshirë edhe marrëdhëniet më të qarta me klasën e biznesit dhe po ashtu trajtimi i elementëve të ekonomisë sociale si një model suksesi për balancimin shoqëror. Por programi politik nuk ka përfunduar. Nëngrupet e punës, sidomos ai i çështjeve ekonomike dhe sociale, janë duke e vazhduar punën e tyre deri në ditën e zhvillimit të kongresit. Dokumenti i ndryshimeve programore është dhe do të mbetet i hapur për propozime të reja, korrigjime apo vërejtje, të cilat do ta pasurojnë atë deri në votimin që do t’i bëhet nga Kongresi i PS-së.
Pikat e programit politik të PS
Trajtimi dhe vlerësimi i shtresës së mënjanuar të ish-të përndjekurve politikë të komunizmit
Marrëdhëniet me shtresat e klasës së mesme të krijuar në këto vite
Vlerësimi i veteranëve të LANç-it dhe veteranëve të punës
Hapja e Partisë Socialiste drejt liberalizimit të marrëdhënieve të saj me shtresat e popullsisë dhe problemet që kërkojnë zgjidhje.
“Për një ekonomi sociale të tregut” janë propozuar ndryshime, me synimin për ta përmirësuar më shumë atë dhe për ta përshtatur me koncepte e reja.
“Modeli ekonomik i zhvillimit” janë përfshirë marrëdhëniet më të qarta me klasën e biznesit.
Trajtimi i elementëve të ekonomisë sociale si një model suksesi për balancimin shoqëror.
“Politika e jashtme dhe integrimi euro-atlantik” ka sjellë ndryshime që trajtojnë realitetin e ri për çështjen e Kosovës si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n