E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Meritokracia të jetë bazë e karrierës



Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, tha dje në mbledhjen e asamblesë se meritokracia duhet të jetë në bazë të karrierës së gjithsecilit. “Të konsolidohet institucioni i votës në parti. Të vendoset votim me kandidatura alternative për të gjitha forumet e zgjedhura të partisë dhe të konsolidohet institucioni i meritokracisë, sepse komisionet e partisë kanë mbi 2 vjet që nuk mblidhen, ka anëtarë asambleje, të cilët prej më shumë së 6 muajsh nuk vijnë në mbledhje, ka këshilltarë të zgjedhur vendorë, që nuk bëjnë detyrën dhe ka anëtarë partie fiktivë. Prandaj vota dhe meritokracia duhet të jetë bazë për karrierën e gjithkujt”, është shprehur Tahiri. Deputeti i Qarkut të Tiranës ka shprehur në fjalën e tij dhe rezervat për oponencën kolektive. Sipas Tahirit, me propozimin e paraqitur, ajo synon të kthehet në qëllim në vetvete. “Në parim jam dakord që të garantohet minoranca, edhe mendimi ndryshe, megjithëse minoranca është e garantuar në statutin aktual. Por oponenca kolektive që propozohet, jo vetëm që s’e mbron mendimin ndryshe, por e kthen qëllim në vetvete, për hir të përfaqësimit në organet e partisë dhe pushtetit. Siç propozohet në oponencë, 2000 anëtarë e çojnë partinë në një proces zgjedhor total”, është shprehur Tahiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›