E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani jep dorëheqjen: PS, parti e oligarkisë së ndërtimit



Anëtari i Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani, deklaroi dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare dorëheqjen e tij si kryetar i Komisionit të Ligjeve të kësaj asambleje. Që në nisje të mbledhjes, Manjani ka komunikuar vendimin e tij, i cili erdhi dhe si shkak i mospërfshirjes së Komisionit të Ligjeve të Asamblesë Kombëtare në diskutimin për ndryshimet në statutin e PS-së. “Nuk mund të jem kryetar i një komisioni partie që shkel ligjin, që miraton ndryshime në statut dhe komisioni nuk pyetet fare”, pohoi ai. Manjani akuzoi lidershipin e PS-së për transformimin negativ që i ka bërë kësaj partie. “Nga partia model në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve, sot kemi një parti model në mbrojtjen e interesave private të një grupi njerëzish, pa ngjyrë e shpirt politik. Partia Socialiste sot është parti e oligarkisë së ndërtimit në vend. Ky është vetëm hapi i parë i shuarjes së shpirtit dhe modelit social-demokrat në vend. Në këtë kohë të vështirë politike më është përforcuar bindja personale se të merresh me politikë, veçanërisht me opozitë, duhet të kesh fytyrë. Të gjithëve ne, Gramoz, kujt më pak e kujt më shumë na mungon kjo fytyrë. Na mungon kjo fytyrë, jo për arsyet që thonë partitë e tjera, po për arsyet tona. Nuk ka sesi të jesh i besueshëm, teksa flet për demokracinë në vend nga njëra anë dhe brenda partisë demokracia nuk ekziston nga ana tjetër. Nuk ka sesi të flasësh për ligj, shtet e Kushtetutë, kur partia jonë i dhunon pa as më të voglën pengesë. Nuk ka sesi të flasësh për kryetarët e partive të tjera, kur kryetari ynë shkeli çdo normë e moral, që vetë e vendosëm për të bërë dallimin nga të tjerët”, u shpreh Manjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›