Blushi: Unë nuk do të kandidoj në zgjedhje
Organizimi i grupit parlamentar
Kryesia vendosi që organizimi i grupit parlamentar i Partisë Socialiste do të bëhet kur të nisë punimet Kuvendi i ri. Kjo është një procedurë që ndodh gjithmonë, prandaj është një çështje që nuk ekziston. Grupi kuvendor i Partisë Socialiste do të ketë drejtues të rinj.
Ndryshimet në statut
Kryesia e Partisë Socialiste është pro ndryshimeve statusore, por ato të bëhen në kohën e duhur. Nuk mund të vendoset një platformë ndryshimesh dhe më pas të miratohet në kongres. Kjo duhet bërë në një proces gjithëpërfshirës, që kërkon rreth gjashtë muaj kohë. Për më tepër, kryesia nuk mund të vendosë për të ndryshuar agjendën e kongresit. Ajo është miratuar në Asamblenë Kombëtare dhe vetëm ky institucion mund të bëjë ndryshime.
Organizimi i zgjedhjeve
Partia Socialiste përcakton qartë në statutin dhe rregulloren e saj mënyrën se si kryhen zgjedhjet për kryetarin e PSSH-së. Listat e delegatëve janë të përpiluara dhe gjithkush mund t'i ketë në dispozicion. Data e zgjedhjeve vendoset nga kongresi.
Prania e medieve
Kryesia e Partisë Socialiste vendosi që praninë e medies në kongres duhet ta shqyrtojë pikërisht ky institucion. Në parim është rënë dakord që të lejohen mediet gjatë kohës kur do të lexohen platformat e kandidatëve për kryetar të PSSH-së, gjatë kohës kur do të vendoset në lidhje me qëndrimin që do të mbahet për zgjedhjet dhe gjatë kohës kur do të shpallet qëndrimi i kongresit. Për pjesët e tjera do të vendosë vetë kongresi.
Iniciatori i lëvizjes "antiRama" ka pohuar dje se do të jetë një votues i thjeshtë. "Kryesia rrëzoi propozimet e mia"
Pak minuta pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, Ben Blushi ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur në mbledhje, por edhe ka pohuar tërheqjen e tij nga gara për kryetar. Ai ka shpjeguar se nuk mund të kandidojë në këto zgjedhje, të cilat kanë një mandat dyvjeçar, por la të nënkuptohet se zgjedhjet e ardhshme pas dy vjetësh, ai do të jetë një nga kandidatët për kryetar.
Zoti Blushi, çfarë ndodhi në mbledhjen e sotme të kryesisë?
Kryesia nuk iu përgjigj kërkesës sonë për proces transparent. Kjo do të thotë se do shkojmë në kongres me dyer të mbyllura dhe ky është vendimi i pashkruar i kryesisë, duke përsëritur asamblenë e do kohëve kur anëtarëve të kongresit u hiqet e drejta për të folur para publikut, për të lënë atë që pretendohet se ka pasur vjedhje në zona të caktuara.
Ne kërkuam që delegatët të shprehen të lirë për të paraqitur versione të ndryshme për sa u takon zgjedhjeve. Kjo do të thotë se do shkojmë në kongres me dyer të mbyllura dhe publiku nuk do shohë si funksionon PS-ja dhe si në PS ka njerëz që mendojnë ndryshe.
Kishim dhe kërkesa të tjera për sa i takon mënyrës së organizimit dhe procesit në parti, i cili që sot ka disa elementë që duhen marrë në konsideratë dhe janë shqetësues. Kongresi nuk premton ndonjë gjë të madhe për të ardhmen e PS-së.
A pati debate dhe tone të larta në mbledhje?
Ne normalisht do debatojmë dhe kjo mbledhje nuk mund të ishte e lumtur, vijmë nga një humbje elektorale dhe ky tension nuk mund mos ndjehej dhe në debatet tona.
Çështjet me të cilat ndahemi është çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit, kemi humbur vetëm për arsyet tona dhe kjo është ajo që duam të themi apo thjesht ka pasur manipulim, të dyja duhen marrë në konsideratë. Plani i parë që thotë se gjithçka ka shkuar mirë dhe ne që mendojmë se duam proces rikorrigjimi.
Ju keni propozuar ndryshime në statut...
Kemi propozuar ndryshime në statut, por këto u rrëzuan. Kryesia vendosi që kongresi të mos i marrë në konsideratë.
Në vitin 2005 ne kishim këtë emergjencë dhe u morën në konsideratë ndryshimet, këtij kongresi i mohohen ndryshime për më shumë demokraci e transparencë. Ndryshimet në statut u rrëzuan, kërkuam që kongresi të kishte autonomi për të vendosur me votë për ndryshimet, por me sa duket do i hiqet kjo e drejtë.
Zoti Blushi, ju do kandidoni për kryetar partie?
Kisha vendosur që ta thosha në kongres, edhe për shkak të këtij debati që patëm në kryesi; për shkak se kryesia ishte refuzuese dhe nuk garanton një PS, e cila reflekton me përgjegjësi; për shkak se dua të zhgënjej të gjithë ata që më kanë paragjykuar apo gjithë ata që mendojnë se unë luftoj për karrierë apo flas se dua të kandidoj për kryetar të PS-së; për shkak se, me sa duket, ndryshimet që propozova dhe propozuam në statut, që synonin një strukturë tjetër të PS-së, po refuzohen, me sa duket do refuzohen në mënyrë kokëfortë; për shkak se PS-ja po imponon me shumicë kartonësh një mendim që unë nuk e ndaj për zgjedhjet e 28 qershorit; për shkak se PS-ja nuk po gjen kurajë dhe aftësi për t'u korrigjuar dhe për t'u futur në fazë të re, dhe për shkak se nuk do kemi një garë, por votëbesim të kryetarit dhe për një arsye; për shkak se konkurroj për një mandat të ndërprerë 2-vjeçar dhe për çdo kandidat është e pamundur të ketë platformë dyvjeçare, vendosa që në këto zgjedhje të mos jem kandidat, por votues i thjeshtë i PS-së.