Blushi: Vetëm familja dhe miqtë e Berishës pasurohen sot
Prezantimi i Programit të Partisë Socialiste ka vazhduar ditën e djeshme në në Moravë të Korcës. I shoqëruar edhe nga Dalipi dhe Ahmetaj, Blushi ka theksuar në këtë takim se Sali Berisha mbron vetëm një grusht njerëzish që pasurohen, ndërkohë që kjo bën dhe ndryshimin e madh mes kësaj mazhorance dhe Partisë Socialiste, e cila sipas tij si në opozitë ashtu dhe në qeverisje kujdeset për të gjithë shqiptarët.
Ne mbrojmë ata që punojnë, ne mbrojmë të varfrit, minatorët, ata që kanë nevojë, ai mbron ata që pasurohen. Ata që pasurohen në Shqipëri janë shumë pak sot. Ata që pasurohen padrejtësisht janë miqtë e Sali Berishës, familja e vet, që ditë për ditë i dalin bisedat telefonike dhe ata që u pasuruan në Gërdec. Ne do të mundim varfërinë në fshat, për të rregulluar edhe jetën në qytet, duke vazhduar me faktin që kushdo investon në bujqësi, 3 vitet e para nuk do të paguajë taksa, duke krijuar një ministri të veçantë për fshatin, gjë që në Shqipëri nuk ka ekzistuar, u shpreh Blushi. Në këtë takim, si në çdo fshat të qarkut të Korçës, anëtari i Kryesisë së PS, Ben Blushi ka sqaruar se në programin e PS ka një pikë shumë të rëndësishme për të stimuluar prodhimin në fshat. Blushi siguroi se çdo familje do të konsiderohet një biznes agrar dhe për ta stimuluar këtë, PS në qeverisje do të përjashtojë nga çdo taksë 3 vitet e para çdo biznes agrar.