PSV 91, Koçi: Nano është me ne, faktor vendimtar në fitoren tonë
Partia Socialiste e Vërtetë 91 ka bërë prezantuar dje në qytetin e Vlorës bashkëpunëtorin amerikan të Genesis Comunication Group në zgjedhjet e këtij qershori. Ka qenë vetë kryetari i kësaj partie, Petro Koçi që ka bërë prezantimin, duke shprehur njëherazi optimizmin për këtë bashkëpunim dhe përfaqësimin e kësaj partie në parlamentin e ardhshëm.
Sipas Koçit, kjo parti ka hyrë në këtë fushatë elektorale për një lojë të pastër politike dhe në këtë kuadër një rëndësi të veçantë do ti jepet komunikimit me të gjithë faktorët ndihmues në këto zgjedhje, në mënyrë të veçantë me simpatizantët e kësaj partie dhe mediat që do ti mbështesin gjatë fushatës. Koçi gjithashtu vlerësoi punën e kësaj partie në qarkun e Vlorës, në të cilin mendohet se do të kenë deputetin e tyre në parlamentin e ardhshëm. Nga ana e tij, përfaqësuesi i Genesis Comunication Group theksoi se një nga aspektet më të rëndësishme të demokracisë së çdo vendi është aftësia dhe e drejta e çdo qytetari të shkojë të votojë dhe të zgjedhë lirisht përfaqësuesin e tyre. Sot ne qëndrojmë pranë zotit Koçi dhe partisë së tij për të mbështetur vlerat e tij politike përkushtimin e tij euro atlantik. Ne shpresojmë të mundemi të punojmë pranë jush, mediave dhe që bashkëpunimi ynë të sjellë standardet më të larta të profesionalizmit dhe objektivitetit. Si një njeri tashmë i njohur për integritetin dhe ndershmërinë e tij ne besojmë se zoti Koçi do të jetë një faktor kyç në këtë proces, u shpreh bëshkëpunëtori amerikan. Nga ana e tij, kandidati për deputet i PSV 91 në qarkun e Vlorës, Kasëm Cenaj, njëherazi edhe kryetar i kësaj partie shprehu falenderimet e tij për këtë bashkëpunim dhe po ashtu shprehu edhe optimizmin për fitoren e tij në këto zgjedhje. Në fund të fjalës së tij, Koçi dënoi veprimin dhe kundërshtimin e Qeverisë shqiptare për përfaqësuesen e ODHIRIT në vendin tonë dhe theksoi se me këtë veprim Berisha tregon se nuk kërkon zgjedhje të ndershme dhe të drejta. Ai po ashtu u shpreh se Nano është përkrah kësaj partie dhe se do të jetë një faktor vendimtar në fitoren e saj në këto zgjedhje.