Meta prezanton në Durrës 13 kandidatët e LSI
Lideri i LSI, Ilir Meta zhvilloi një takim në qytetin e Durrësit me përkrahës të kësaj force. Në këtë takim Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar edhe listën e kandidatëve që do të garojnë për zgjedhjet e 28 qershorit në qarkun e Durrësit. Lista e kandidatëve kryesohet nga Lefter Koka, ish kryetar i bashkisë së Durrësit në vitet 2003-2006 dhe pas tij analisti Artur Zheji.
Pas dy emrave të mësipërm në listë janë edhe emrat si Agim Xheka, ish kryetar i PS Krujë; Bujar Dhima, biznesmen; Edlira (Shemsi) Harizi, mjeke; Ermion Arapi, ish drejtor i pallatit te kulturës Durrës; Kontiana Kuçi, kryetare LRI; Adriatik Muka, inxhinier naval; Adelina Hysi, juriste; Flutura Kona, juriste; Ilir Memko, historian-arkeolog; Andi Shahini, mjek dhe Edmond Isaku, sekretar i këshillit bashkiak në Shijak. Më tej në këtë takim Meta prezantoi për qytetarët durrsakë Planin për Veprim, që është përmbledhje e programit elektoral dhe qeverisës. Arkeologjia dhe deti, janë dy fuqitë kryesore të qytetit bregdetar të Durrësit, të cilat duhet të shfrytëzohen maksimalisht, tha Meta, duke premtuar se LSI do ta shndërrojë turizmin në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të fuqishëm të vendit dhe punësimit. Sipas Metës, LSI do të aprovojë dhe do të zbatojë menjëherë planet rregulluese dhe urbanistike të qytetit bregdetar të Durrësit, si dhe do të zbatojë një koncept të ri menaxhimi. Gjithashtu, do të fokusohet në rikuperimin e zonave turistike nga ndërtimet e pakontrolluara. Ndërkaq, kreu i LSI, Ilir Meta tha se gjatë qeverisjes do të dyfishojë kapacitetin e portit të Durrësit, duke e kthyer një ndër portet më atraktiv në Ballkan si dhe do të mbështesë ndërtimin e portit të ri të peshkimit. Në këtë takim, Meta i siguroi të pranishmit se pas fitores së LSI, politikat ekonomike do ta zhvillojnë vendin duke e nxjerrë atë nga kolapsi në të cilin ndodhet.