E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta prezanton Planin Veprim në Fier, punësimi shtylla kryesore e programit

Lëvizja Socialiste për Integrim nis zbulimin e Planit për Veprim. Lideri i LSI, Ilir Meta, i shoqëruar nga Kryetari i KDK dhe Zëdhënësi për Programin elektoral të LSI, Edmond Haxhinasto, Nënkryetarja Filloreta Kodra dhe nga Sekretari i LSI për Bujqësinë dhe Mjedisin Edmond Panariti, zhvilluan një takim me qindra përkrahës të LSI në qytetin e Fierit. Qytetarët fierakë pritën me entuziazëm prezantimin e Planit për Veprim, të paraqitur në mënyrë të detajuar nga kreu i LSI, Meta. Në këtë takim u prezantua programi i LSI dhe zgjidhja që ofron alternativa e saj për punësimin, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, etj. Duke marrë fjalën në këtë takim, Meta shprehu kënaqësinë që Plani i Veprimit, i cili është përmbledhja e gjithë programit elektoral të LSI për zgjedhjet e 28 Qershorit, u paraqit në radhë të parë në qytetin dhe rrethin e Fierit, sepse sipas tij është një rreth dhe qytet, i cili ka nevojë ashtu sikurse gjithë Shqipëria, në radhë të parë për një program social, që synon të zgjidhë problemet më jetike të qytetarëve shqiptarë, u shpreh Meta, duke vijuar matej se prandaj në rendin e parë të të gjithë këtij angazhimi programor dhe qeverisës të Lëvizjes Socialiste për Integrim, qëndron punësimi. Ky është thelbi, ky është themeli i këtij programi, i cili ka të bëjë me të gjitha drejtimet dhe aspektet e qeverisjes dhe me vënien në funksion të të gjithë politikave shtetërore, qeverisëse, fiskale, arsimore e kështu me radhë, veçoi kreu i LSI, duke theksuar se shqetësimi më i madh i të gjithë shqiptarëve, është papunësia ndaj dhe LSI prej gati 6 muajsh është marrë dhe po merret seriozisht me këtë çështje, si instrumenti kryesor për të luftuar varfërinë dhe për të garantuar siguri dhe mirëqenie për familjet shqiptare. Vetëm dy javë më parë përfaqësues të industrisë së biznesit që kanë numrin më të madh të punësuarve në Shqipëri, ata të biznesit të fasonëve, që punëson rreth 100 mijë shqiptarë, kryesisht vajza dhe gra, dhanë alarmin se 50 ndërmarrje të prodhimit të veshjeve tekstile, të këpucëve, çantave dhe kështu me radhë, kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, për arsye se ndihen në situatë krize. Rreth 11 mijë punëtorë po qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që Qeveria nuk ka marrë asnjë masë, edhe pse ky lloj biznesi ka muaj që kërkon ndihmën dhe mbështetjen e saj, për të përballuar efektet e krizës ekonomike globale. Vetëm dy javë më parë e morëm vesh që 11 mijë vende pune u mbyllën. Si do të hapen 300 mijë me këtë situatë krize, e cila karakterizohet nga mosmarrja e asnjë lloj mase nga Qeveria aktuale?, nënvizoi më tej Meta, sipas të cilit prandaj dhe LSI, në gjithë programin e saj, duke u përqendruar tek punësimi, ka një objektiv të arritshëm që është ai i hapjes së 100 mijë vendeve të reja të qëndrueshme të punës në 4 vitet e ardhshme. Meta u shpreh i bindur edhe për të gjithë sektorët se ku mund të hapen këto vende pune, duke filluar që nga bujqësia, që nga agro-përpunimi për të vijuar në të gjithë drejtimet e tjera. Kreu i LSI, vlerësoi se një sektor i rëndësishëm, sidomos për rrethin e Fierit, është edhe i naftës, ku sipas programit të LSI, do të hapen 6 mijë vende të reja pune gjatë 4 viteve të ardhshme. Meta shprehu bindjen se vetëm duke bërë iniciativa konkrete fiskale, vetëm duke kthyer në qëllim të çdo vendimi çështjen e punësimit, do të arrihet të krijohet një klimë gjallërie tek bizneset dhe atë motivim të vetë biznesit për të rritur rrogën e të punësuarve. Konkretisht, ne propozojmë dhe jemi të angazhuar të realizojmë, që për çdo biznes të ri që do krijohet në të ardhmen që do të punësojë të paktën 5 veta, të përjashtohet nga tatim-fitimi për 3 vitet e ardhshme. Së dyti, për çdo vend të ri pune që do të hapet në bizneset aktuale, bëhet një zbritje nga tatimet të paktën deri në 5 mijë lekë të reja në varësi dhe nevojë të punës. Njëkohësisht ne jemi shumë të qartë për të përballuar dhe krizën që ka prekur biznesin fason, duke subvencionuar 50 % të sigurimeve shoqërore, për çdo vend pune deri në fund të vitit 2011 e duke përjashtuar nga tatim-fitimi deri në fund të vitit 2010, vijoi më tej Meta, duke shprehur besimin e LSI  ka programin më të qartë, për sa i takon rimëkëmbjes së bujqësisë dhe rritjes së produktivitetit të bujqësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›