E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi e Ahmetaj votojnë pro marrëveshjes për Korçën

SHKRUAN: Fejzi Braushi 25-03-2011 14:28

Deputetët e Korçës, Ben Blushi dhe Arben Ahmetaj, në kundërshtim me vendimmarrjen e grupit për të mos marrë pjesë në votimin e ligjit, kanë votuar dje marrëveshjen për ndërtimin e landfillit të mbetjeve urbane në qytetin e Korçës. Marrëveshja në fjalë ka marrë fillimisht në parim tri vota pro dhe një kundër, dhe më saktësisht votat e Ben Blushit, Arben Ahmetajt dhe Valentina Leskajt. Kjo e fundit ka votuar gabimisht, duke menduar se ishte votim për prezencën. Ashtu si Leskaj edhe deputeti tjetër Marko Bello duke pretenduar se po votonte për prezencën, ka shtypur butonin kundër, çka është reflektuar dhe në tabelën e rezultatit në parim. Ndërkohë që Blushi dhe Ahmetaj kanë votuar pro edhe në tërësi, duke i dhënë kështu mazhorancës dje dy vota dhe duke e çuar votimin në tërësi 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Të dy deputetët socialistë kanë pretenduar se e kanë bërë këtë veprim për shkak se marrëveshja në fjalë i shërben qytetit të Korçës, ku dhe ata janë zgjedhur deputetë.

Qëndrimi

Por ky veprim bie në kundërshtim jo vetëm me vendimin e PS-së për të mos votuar asnjë ligj në Kuvend, por edhe me qëndrimin që kanë mbajtur gjatë debatit të djeshëm për këtë çështje deputetët socialistë. Deputetët e Partisë Socialiste, si Besnik Bare dhe Fatmir Toçi, e Blendi Klosi shprehën shqetësimin e tyre për mos përfshirjen e Ministrisë së Mjedisit në këtë projekt. Sipas tyre, kryeministri Berisha nuk ka prioritet mjedisin, por ndotjen urbane. Ata akuzojnë gjithashtu se në projekt është anashkaluar pushteti vendor i Korçës dhe investimi është për qëllime elektorale të zgjedhjeve vendore të 8 Majit. Deputeti i PS-së, Ilir Betja, tha se “projekti nuk është në përputhje me standardet, dhe në linjë me BE, pasi kemi të bëjmë me një groposje të mbetjeve urbane, e cila do të sjellë ndotjen e tokës dhe nuk ka përpunim të mbetjeve me përfitim të energjisë”.

Pagat

Deputetët i nxjerrin të “palarat” njëri-tjetrit. Dhe jo pak, por përfitimet reale financiare që marrin çdo muaj nga të qenit deputetë apo ministra, në shuma që shkojnë mesatarisht te 3 milionë lekë të reja. Të dhëna këto që kanë dalë gjatë një debati të gjatë mes mazhorancës dhe opozitës dje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku dhe u diskutua dhe u miratua ligji “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”. Ka qenë deputeti socialist Erion Braçe ai që ka hapur debatin lidhur me pagat dhe shpërblimet që marrin zyrtarët e lartë, përfshi këtu edhe ministrat apo Kryeministri. Duke iu referuar risive që sjellin ndryshimet e paraqitura në ligj, Braçe ka kërkuar që në të bëhen dhe një sërë ndryshimesh që të reduktojnë shpërblimet për anëtarët e bordeve të ndryshme, ndërsa ka akuzuar Kryeministrin dhe Kryetaren e Kuvendit se kanë të ardhura disa fish më të mëdha sesa shumica e popullsisë. “Kryeministri juaj ka deklaruar vetëm në një vit 28 milionë lekë në vit të ardhura ose 28 mijë dollarë, që i bie se për 1 ditë pune paguhet me 104 dollarë në ditë. Kjo është e vogël, por ata që jetojnë në varfëri me dy dollarë në vit? Zonja kryetare, ju keni deklaruar 34 milionë lekë në vit ose 118.9 dollarë në ditë, kur ata të varfrit janë me 2 dollarë”, - u shpreh Braçe. Po i menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesve të mazhorancës, të cilët kanë deklaruar se deputetët, përfshi edhe vetë Braçen, marrin lekë më shumë se dhe vetë ministrat. “Nuk ua kam thënë kurrë, çdo deputet në këtë sallë merr pagë plus dieta, plus të ardhura nga komisione, plus të tjera, me shumë se Kryeministri i Shqipërisë. Çdo deputet këtu në sallë merr pagën, dietat, të ardhurat, të tjera nga komisione, telefon etj. Gjithsecili nga 140 deputetë ka të ardhura mujore më shumë se Kryeministri i Shqipërisë”, - tha Topalli. Ndërkohë që ministri i Financave, duke folur me shifra konkrete, ka theksuar se paga e një deputeti shkon në vlerat e 3 milionë lekëve të vjetra. “Të ardhurat e tua mesatare mujore kanë qenë 289 mijë e 145 lekë të reja d.m.th. 2 milionë e 891 mijë e 450”, - tha Bode, duke iu drejtuar Braçes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›