E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Dule insistoi për Bollanon, ne nuk e donim

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka sqaruar dje arsyet se pse PBDNJ-ja mbeti jashtë koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Xhafaj konfirmoi në emisionin “Agon” në Albanian Screen, se shkak për këtë ka qenë kandidatura e Vasil Bollanos. “Zoti Dule insistoi, është në drejtën e tij, është normale që si kandidat të rikandidonte përsëri në këtë pozicion kryetarin e bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. PS-ja mendonte që mund të ishte një kandidat i koalicionit, mund të ishte dhe ky kandidat i PBDNJ-së, por jo zoti Bollano, për shkak të disa pozicioneve të mbajtura prej tij në raport me ushtrimin e funksionit”, tha Xhafaj. Si ish-kryetari i komisionit bipartizan për Kodin Zgjedhor, Xhafaj e sheh ende të mundshme ndërhyrjen në këtë ligj. Ai kujton në këtë rast se manovrime të tilla në Kodin Elektoral në të shkuarën janë bërë dhe 35 ditë para mbajtjes së tyre. “Unë nuk di që ndërkombëtarët të kenë thënë iku ky afat apo iku ky afat. Nëse ndonjëri nga ata e ka thënë, ka bërë gabim. Ata mund të bëjnë gabim dhe mund të mos e njohin ligjin mirë, apo mund të mos e njohin praktikën mirë, apo mund të mos i njohin realitetet mirë”, nënvizoi Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›