Blushi: Çështjet e territorit janë shfrytëzuar politikisht
Në vazhdim të procesit të konsultimit "Me Dyer të Hapura", fondacioni "Qemal Stafa", në bashkëpunim me "Co-Plan", organizoi dje tryezën me temë "Planifikimi dhe Zhvillimi i Territorit". Drejtori ekzekutiv i fondacionit, Saimir Tahiri, deklaroi se Presidenti i Republikës dërgoi për rishqyrtim në Parlament projektligjin e legalizimeve, duke e konsideruar si jo të denjë. Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, nënvizoi se çështja e territorit, me sa duket, siç ka shoqëruar zhvillimet ekonomike dhe politike në 20 vitet e fundit, do të vazhdojë të jetë një gangrenë që pengon zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. "E them këtë i bindur edhe nga fakti që çështjet e territorit nuk po marrin përgjigjen e merituar, edhe në një kontekst të rishikuar të legjislacionit shqiptar, siç është rasti i ligjit të legalizimeve", tha ai. Në vlerësimin e Blushit, çështjet e territorit dhe me atë çfarë ka ndodhur këto vite, duhen konsideruar një krim. Ndryshe nga krimet e tjera në kurriz të shoqërisë, do të kenë efekte të parikuperueshme për një kohë të gjatë. "Ky është një krim që një brez politik apo shoqëror nuk merr një zgjidhje të merituar. Krimi mbi territorin është i parikuperueshëm, për shkak se së pari krijon efekte ose defekte demografike, efekte sociale, ekonomike dhe dëmton pa dyshim zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në përgjithësi", insistoi Blushi. Ai vuri në dukje se zaptimi i territorit, siç e kemi parë, ka krijuar në pjesë të ndryshme të vendit, geto sociale brenda shoqërisë, geto të cilat janë margjinalizuar. Për këtë arsye ka rritur nivelin e varfërisë në zonat nga ata që janë larguar, por edhe aty ku kanë ardhur. "E dytë, mungesa e kontrollit mbi territorin është përdorur për pasurim të padrejtë apo korrupsion, kryesisht nga ata që kanë pasur mundësi t‘i japin një leje provizore banimi apo ndërtimi në zona me pronarë të tjerë, nga ata që u zaptuan edhe për shkak të lejeve, apo të kësaj indiference", u shpreh Blushi. Sipas tij, reforma mbi territorin duhet të ngrihet mbi konceptin e së drejtës, e cila nuk është elektorale, por është e drejtë universale, që është në themel të shoqërisë njerëzore.