Qeveria ndan 1.3 miliardë për Gërdecin
Ministria e Financave njofton se në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.343, datë 27.03.2008, janë likuiduar nga Banka e Shqipërisë 2762 persona, nga 3825 që janë identifikuar, sipas listës me të dëmtuarit nga aksidenti teknologjik i Gërdecit. Në llogari të përfituesve kanë kaluar tashmë 1.3 miliardë lekë. Ndërkohë, nga donatorët janë grumbulluar në Bankën e Shqipërisë 466982 mijë lekë. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në strategjinë për rindërtimin e infrastrukturës në zonën e Gërdecit, ka parashikuar projekte prioritare në sektorin e infrastrukturës, menaxhimit të mbetjeve të ngurta, ujësjellës-kanalizime dhe postë telekomunikacion, me një vlerë të përgjithshme prej 8143000 eurosh. Zv/ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Stavri Ristani, gjatë takimit për rindërtimin e Gërdecit, u shpreh se infrastruktura rrugore në zonën e Gërdecit parashikon rikonstruksionin e rrugëve kryesore bashkë me rrugët e brendshme të fshatit Marqinet 1 dhe 2, fshatit Gërdec e zonat e tjera të dëmtuara.