E Hënë, 2 Nëntor 2026

Blushi, i rikthen Celibashit listën e zgjedhësve

17/03/2005  Berisha: Ministri i kërkoi KQZ-së të dhënat

Ministri i Pushtetit Vendor, Ben Blushi, ka rikthyer dje listën zgjedhore që iu dha prej kreut të Komisionit të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi. Në një deklaratë për shtypin, ai ka theksuar se nuk ia ka kërkuar kopjen elektronike kryetarit të KQZ, pasi nga Kodi Zgjedhor për këtë ministri nuk rrjedh asnjë detyrim që lidhet me përdorimin e saj. Gjithashtu, ministria ka bërë të ditur se nuk e ka tentuar dhe nuk ka pasur mundësi që të shfrytëzojë këtë bazë të dhënash¸ pasi nga KQZ nuk ka marrë asnjë nga pajisjet logjistike të kërkuara, që do të mund të krijonin ambientin e nevojshëm për këtë qëllim. Ben Blushi, në prononcimin e tij, theksoi se "për të shmangur çdo ekuivok, kam vendosur zyrtarisht që të kthej mbrapsht kopjen e regjistrit të votimeve 2003 dhe ky gjest tentoj të përmirësojë raportin brenda KQZ, situata e së cilës gjendet në një pikë kritike, duke e vënë në diskutim procesin zgjedhor". Blushi thekson se është e nevojshme që raporti mes anëtarëve të KQZ-së duhet të jetë paqësor. Duke kundërshtuar këtë deklaratë të Blushit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se ka qenë Blushi, i cili i ka kërkuar Celibashit kopjen e listës së zgjedhësve. Ndërsa për vendimin e rikthimit të listës te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Berisha ka hedhur dyshimet se për të mund të jetë marrë një kopje. Gjithsesi, me kërkesën për shkarkimin e Celibashit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përfshirë në një debat tepër të ashpër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›