E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS propozon një bankë kombëtare për kreditimin e bujqësisë

17/03/2005  Agron Duka paraqet strategjinë e socialistëve mbi zonat rurale

Ministri i Bujqësisë, Agron Duka, në strategjinë e Partisë Socialiste për Bujqësinë ka paraqitur si një nga objektivat kryesore të saj krijimin e një rrjeti bankash kombëtare rurale në të gjithë vendin, që do të ndihmojë në zhvillimin e këtij sektori. Sipas ministrit, "skema e funksionimit të bankës do të jetë e veçantë dhe jo si një bankë komerciale, e cila merret në përgjithësi me investime të mëdha, por Banka Kombëtare rurale do të ngrihet vetëm për fshatin, buqjësinë dhe blegtorinë". Gjithashtu, sipas Dukës, brenda vitit 2005 do të kemi një formë më të qartë të kësaj banke. Ai tha se, "krahas projekteve dhe granteve ekzistuese, apo dhe krahas sistemit të tanishëm bankar së shpejti do të fillojë dhe veprimtrinë dhe një bankë kombëtare rurale, e cila është në proces krijimi që prej një viti. Kjo bankë nuk do të lejohet të ketë fatin e bankave agrare, që gjatë qeverisë së Berishës, ku me kredi për traktorë bliheshin vetura. Brenda tri vjetësh do të pasohet si bankë nga15 rrethe që ekziston sot në të gjithë Shqipërinë". Ndërkohë që, sipas qeverisë, shqiptare duhet një periudhë gati trevjeçare që kjo bankë të marrë formën e saj përfundimtare. Gjatë kësaj periudhe kreditë do të lëvrohen në ato zona të caktuara dhe sektorë të veçantë të bujqësisë. Në këtë sistem do të përfitojë dhe agroturizmi, ndërkohë që më të privilegjuarat nga kreditë do të jenë zonat më të prapambetura të vendit dhe ato malore. Pjesë e strategjisë socialiste për bujqësisë janë dhe ngritja e institucioneve efiçente kërkimore në fushën e blegtorisë dhe bujqësisë. Në këtë kuadër, strategjia parashikon bashkëpunim të ngushtë me specialistë të fushave të ndryshme dhe zbatim sa më konkrete në sektorin e bujqësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›