E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koja kundër Koçit për emrat e rinj për deputetë në PS

17/03/2005  Nano: Shembulli i Tiranës të shtrihet në të gjitha qarqet e vendit

Socialistët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme, në lidhje me prezantimin e kandidatëve për deputetë të kësaj partie nga Kryeministri Fatos Nano, gjatë festimeve të Ditës së Verës në kryeqytet. Vetëm pas këtij prezantimi, funksionarë të lartë në strukturat e PS-së kanë dalë me deklarata kontradiktore me njëra-tjetrën. Zëdhënësi politik i PS-së, Gjergji Koja, deklaratën e dy ditëve më parë të deputetit Petro Koçi e ka cilësuar si një qëndrim të njëanshëm. Koçi, gjatë një prononcimi për mediat, ka theksuar se nxjerrja e emrave nga kreu i PS-së është një veprim i nxituar, gjë për të cilën duhet të ishte marrë mendimi i forumeve të caktuara të kësaj partie. Ndërkohë, sipas zëdhënësit Koja, bëhet dhe për efekte testimi të opinionit publik. Sipas tij, "testimi i opinionit publik për kandidaturat është i vazhdueshëm dhe do të mbyllet kur ky opinion do të votoj për këto kandidatura. Çështja është që PS-ja nuk mund të jetë e shkëputur nga vlerësimi apo përshtypjet e opinionit publik për kandidaturat dhe jam i bindur se edhe kryetari i PS-së e ka pasur dhe e ka parasysh vlerësimin e opinionit publik për kandidaturat, sepse është shtylla kryesore ku ne bazohemi për të ngritur një ekip kandidaturash jo vetëm konkurruese, por edhe fituese". Koja thekson se kjo është një çështje e vlerësimit personal të zotit Koçi, përderisa flasim për rinovim të kandidatëve për deputetë të PS-së dhe përderisa ka një opinion që e përkrah dhe mezi e pret këtë rinovim, atëherë gjykime subjektive që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën integritet moral janë jashtë kohe dhe nuk sjellin ndonjë gjë objektive në vlerësimin e kandidaturave". Zëdhënësi Koja ka theksuar se "kryetari i PS-së ka ushtruar funksionet e tij që ja jep statuti i partisë në rinovimin e strukturave të partisë dhe është një iniciativë që duhet përshëndetur". Ndërkohë, pas këtij debati mes përfaqësuesve të PS-së, vetë kryetari i kësaj partie, Fatos Nano, tha se "shembullin e Tiranës, ku kandidatët e rinj gërshetohen me kontribute në PS, duhet të shtrihet në të gjitha qarqet e vendit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›