Meta: Qeveria “Berisha”, pjesë e korrupsionit
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi dje qeverinë shqiptare se pavarësisht se erdhi në pushtet me moton e luftës ndaj korrupsionit, është bërë pjesë e tij. Madje, sipas Metës, korrupsionin Sali Berisha e ngriti edhe më tej në sistem, në sistemin korruptiv politik të kapjes së shtetit, të uzurpimit të pushteteve të pavarura e të shkatërrimit të Kushtetutës etj. Lidhur me deklarimet e Kryeministrit për buxheti e 2009-s, Meta tha se premtuar nga Sali Berisha në nivelin 5.1 miliardë lekë ose 1 miliard më shumë, buxheti nuk ka asnjë lidhje me masat urgjente që qeveria duhet të marrë për zbutjen e efekteve të krizës ushqimore dhe asaj financiare. “Nuk bën asgjë për të zbutur deficitin e lartë tregtar, në nivelin alarmant prej 27 miliardë lekësh, me një rritje prej 24% krahasuar me një vit më parë, i shkaktuar veçse nga rritja e madhe e çmimeve të importeve”, - shtoi më tej kreu i LSI-së, ndërsa shtoi se po eksportohet një sasi shumë e vogël produktesh, kryesisht minerale, Shqipëria po e thellon më tej deficitin në tregtinë me partnerët, për mungesë të prodhimit vendas, për efekt të standardeve dhe cilësisë së ulët të produkteve që eksporton, për konkurrueshmërisë tejet të ulët edhe me vendet e rajonit, e jo më me partneret evropiane.