E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji, koncesionet edhe më gjatë se 35 vite

Komisioni i Ligjeve miratoi ditën e djeshme me konsensus një ndryshim në ligjin e koncesioneve. Sipas këtij ndryshimi, kontrata e vogla koncesionare kalojnë në Kuvend si dhe çdo investitor, në rast se e sheh të nevojshme, mund të kërkojnë shtyrjen e koncesionit përtej afatit 35 vite që e lejon ligji aktual. Një tjetër ndryshim ishte fakti se thyerja e kontratës do të sjellë penalitete të rënda për kompanitë. Ligji i koncesioneve, duke filluar nga janari i këtij viti pësoi ndryshime, duke dhënë kështu një sërë ndikimesh të dukshme në lidhjen e kontratave për projekte të rëndësishme energjetike. Nga ana tjetër, ministria ka nisur kontrolle në të gjitha projektet koncesionare në HEC-e të ndryshme. Ekspertë të ministrisë shprehen se në rast të shkeljes së kontratës do të ketë penalizime, madje prishje të marrëveshjes. Qeveria shqiptare, një vit më parë inicioi rishikimin e plotë të kuadrit ligjor në fushën e koncesioneve, nisur nga problemet e rezultuara prej një monitorimi të kujdesshëm në zbatimin e kontratave koncesionare, prej nga rezultuan projekte të zbatuara në nivele jo të kënaqshme, si rezultat i kontratave të dobëta në parashikimin e detyrimeve kontraktuale dhe mungesë penalitetesh në raste moszbatimi detyrimesh nga palët. Edhe pse ligji i ri për koncesionet solli rregulla të detajuara e të qarta për projekte të ndryshme, duke mundësuar përzgjedhjen e investitorëve seriozë, METE evidenton akoma probleme në kontratat e HEC-ve të vogla. Aktualisht sektori hidroenergjetik numëron rreth 120 projekt-propozime të pakërkuara, por që tashmë janë objekt i procedurave tenderuese, për ndërtimin me koncesion të hidrocentraleve të vegjël.

Çabej, komisionere për të dhënat personale

Flora Çabej ka marrë ditën e djeshme me konsensus pëlqimin e Komisionit të Ligjeve për të qenë komisionere për mbrojtjen e të dhënave personale. Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend këtë kandidaturë me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, për t’u zgjedhur në detyrën e komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale, pikërisht Flora Çabej. Vendimi i qeverisë është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 33 e 35, të ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, me propozimin e ministrit të Brendshëm. Ky vendim i Komisionit të Ligjeve do të kalojë në Kuvend për të dhënë pëlqimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›