PD, krerët lokalë do të zgjedhin kandidatët për deputetë
Drejtuesit lokalë të PD-së, që do të zgjidhen përmes zgjedhjeve të reja të kësaj partie, do të kenë të drejtë të propozojnë kandidatët për deputetë. Lista e emrave të ligjvënësve të ardhshëm të parlamentareve 2009, do të dalë pikërisht nga kryetarët e rinj të Partisë Demokratike. Kjo, për faktin se ata do të jenë më të paktë në numër, por më të fuqishëm për shkak të kompetencave që do marrin. Pushteti i ri i tyre pritet të futet në statusin e PD-së, të cilit mendohet t’i bëhen disa ndryshime në prag të Kuvendit të radhës. Ndryshe nga aktualisht, me zgjedhjet e reja do të ketë vetëm 12 kryetarë lokale dhe këta do të jenë baras me numrin e qarqeve në të gjithë vendin. Numri prej më shumë se 30 kryetarësh sa ç’janë aktualisht, do të reduktohet pikërisht vetëm në 12 të tillë. Por ata do të kenë të drejtën e propozimit të kandidatëve për deputetë dhe lista e 2009-s do të nisë pikërisht nga baza e PD-së. Më pas, ajo do të kalojë për miratim në forumet drejtuese të partisë dhe pikërisht në kryesinë e saj. Deri tani, baza ka pasur të drejtë të propozojë, por në të shumtën e rasteve, lista e saj rrëzohej në qendër, duke mos u marrë parasysh për shkak të zëvendësimit me emra të rinj. Megjithatë, në zgjedhjet e reja të demokratëve, pritet të forcohen pozitat e kryetarëve, çka do të thotë se kanë të drejtë të vendosin për emrat që do konkurrojnë përballë opozitës në parlamentaret e vitit që vjen. Kjo gjithnjë në rast se PD-ja nuk shtyn zgjedhjet në qendër për pas zgjedhjeve parlamentare, për shkak se ato do të kenë një diferencë kohe vetëm prej një muaji. Kongresi i PD-së duhet të mbahet në muajin maj, kurse zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohet nga fundi i qershorit të 2009-s. Gjithsesi, ende nuk ka një qëndrim zyrtar për zhvendosjen e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve brenda PD-së, ndërkohë që zgjedhjet në bazë nuk do të kenë ndërprerje. Gjithnjë bëhet fjalë për zgjedhjet në qendër, pasi përmes procesit të votimit do të kalojnë të gjithë drejtuesit e PD-së. Zgjedhjet në parti kanë filluar prej disa muajsh dhe kanë startuar me takimet me bazën, nga ku u ngritën dhe 12 grupet e punës të miratuara nga kryesia e PD-së. Qëllimi është rifreskimi i partisë, si dhe përgatitja e strukturave për zgjedhjet e vitit 2009. Skema që demokratët do të përdorin në këtë riorganizim duhet të jetë në përputhje me sistemin e ri zgjedhor. Takimet e deritanishme janë konceptuar në formën e debatit dhe të bashkëbisedimit, kur krahas elementëve të tillë si: hapja e mëtejshme e PD-së, me qëllim rifreskimin e strukturave; përgatitja e strukturave për zgjedhjet e vitit 2009, po diskutohet edhe puna e qeverisë aktuale. Në bazë të vendimit të marrë nga PD, 12 grupet e punës në rang vendi, përkojnë me 12 qarqe, ndërsa në Tiranë janë ngritur grupe pune sipas nëndegëve. Takimet në bazë u ndërprenë për shkak të pushimeve për të filluar sërish përgjatë këtij muaji deri në konkretizimin e zgjedhjes së njerëzve të rinj të PD-së.