E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, në listat e votuesve 500 shtetas të vdekur



Listat e votuesve ende nuk janë pastruar nga personat e vdekur. Vetëm në Bashkinë e Korçës rezulton se emrat e më shumë se 500 personave, të cilët nuk jetojnë më, janë të regjistruar në këto lista, çka do të thotë se ata rezultojnë si votues të regjistruar në zgjedhjet e 28 qershorit. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Informacionit në Bashkinë e Korçës, Mikel Llogori. “Kemi vënë re se shumë persona të tjerë, që kanë ndërruar jetë jashtë Shqipërisë, rezultojnë në këto lista. Shifra e këtyre personave është rreth 500”, - deklaron Llogori. Por problematika bëhet edhe më shqetësuese kur bëhet e ditur se listat e zgjedhësve në këtë bashki mbajnë emrat e qindra personave të vdekur në periudha të ndryshme, me një shtrirje mbi njëshekullore. Fenomeni i përfshirjes në listat e votuesve të personave të vdekur konsiderohet komprometues për zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Një fenomen i tillë ka sjellë pak ditë më parë edhe shqetësimin e Avokatit të Popullit. Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ka kërkuar pastrimin e listave zgjedhore nga emrat e personave që kanë vdekur dhe atyre që kanë lënë shtetësinë shqiptare. Kërkesa e Dobjanit i është dërguar në formën e rekomandimit disa ditë më parë drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme, Armand Teliti, gjithë prefektëve të qarqeve të Republikës së Shqipërisë si dhe kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani. Në rekomandim Dobjani u bën atyre thirrje të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore për çregjistrimin nga regjistrat e gjendjes civile të personave të vdekur prej vitesh dhe personave që u është hequr shtetësia shqiptare. Duke marrë shkas nga lajme të publikuara në media për praninë në listat zgjedhore të dy kategorive të mësipërme, Dobjani i cilëson ato si elemente që do të komprometonin procesin zgjedhor.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›