E Hënë, 2 Nëntor 2026

Blushi paralajmëron bashkitë që s´kan publikuar listat

15/04/2005  Ministria e Pushtetit Vendor njofton se listat paraprake të votuesve janë shpallur në 379 njësi dhe nuk janë shpallur akoma në bashkitë Shkodër, Burrel dhe komunat Rrethina e Zall Bastar. Gjatë këtyre ditëve ka vazhduar dorëzimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile i kopjeve të printuara dhe elektronike të listave paraprake. Deri më 13 prill, ky proces ka përfunduar për 337 njësi të qeverisjes vendore, me një numër të përgjithshëm prej 4012 qendrash votimi. Në listat paraprake, të dorëzuara deri tani, janë përfshirë 2.409.257 zgjedhës. Nuk kanë përfunduar dorëzimin 46 njësi të qeverisjes vendore, nga të cilat 10 bashki dhe 36 komuna. Mbrapa janë njësitë e qeverisjes vendore të Qarkut Tiranë, ku nuk kanë dorëzuar listat 14 njësi, përfshirë njësitë bashkiake nr.9 dhe nr.11, bashkinë Kavajë dhe 11 komuna; të Qarkut Shkodër, ku nuk kanë dorëzuar listat 9 njësi, përfshirë bashkinë Shkodër dhe 8 komuna; të Qarkut Vlorë, ku nuk kanë dorëzuar listat 8 njësi, përfshirë bashkitë Sarandë, Himarë, Selenicë, Konispol dhe 4 komuna; të Qarkut Kukës, ku nuk kanë dorëzuar listat 6 komuna. Në Qarkun Lezhë, listat nuk janë dorëzuar nga 3 komuna, në Qarkun Berat nuk ka dorëzuar listat bashkia Berat dhe 1 komunë, në Qarkun Dibër nuk ka dorëzuar listat bashkia Burrel, ndërsa në qarqet Durrës, Korçë e Fier kanë mbetur pa dorëzuar listat nga 1 komunë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›