E Diel, 1 Nëntor 2026

Lesi: Prokuroria po fsheh provat

15/04/2005  Deputeti i Partisë Demokristiane, Nikollë Lesi, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë nga prokurori i Përgjithshëm, Thodhori Sollaku, se ka shpifur kur ka akuzuar Kryeministrin Nano, për një bisedë, ku theksohej trafiku i armëve. Lesi e ka cilësuar Sollakun si avokat të Kryeministrit Nano, duke anashkaluar pozicionin e tij si i paanshëm. Madje, Lesi ka akuzuar prokurorinë për fshehje provash. Kreu i PDK-së ka theksuar se ka kasetën, e cila vërteton se Nano është i përfshirë në një trafik armësh dhe dokumentet, që ai i ka shkaktuar vdekjen një personi, ia ka dorëzuar prokurorisë. “Nuk kam shpifur në asnjë fjalë, në asnjë rresht, apo kasetë, që kam dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me çka kam deklaruar në parlament. Në qoftë se vërtetohet e kundërta, jam gati të mbaj përgjegjësi morale, politike dhe juridike në respektim të ligjeve. Por, theksoj se prokurori i Përgjithshëm ka mashtruar për materialet, që ndodhen në dosjen penale për këtë çështje”, tha Lesi. Deputeti demokristian ka theksuar se, duke iu referuar të gjitha materialeve, që ai ka depozituar në prokurori, “duhet që jo vetëm t'i hiqej imuniteti Fatos Nanos, por dhe të arrestohej për krim, në vrasjen e një viktime dhe hedhjen e tij në kanal, e më pas largimin nga vendi i ngjarjes. Kryeministri duhej ndëshkuar dhe për trafikun e armëve, që vërtetohet nga plot materiale në dosjen hetimore”. Lesi shprehet se një hetim i plotë i kësaj çështjeje do të vijë pas rrëzimit nga pushteti të Kryeministrit Nano, ku do të hetohen të gjithë politikanët e lartë të përzierë në kontrabandë dhe korrupsion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›