E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Hakmarrja", nis gjykimi te Krimet e Rënda

15/04/2005  Janë 10 të pandehur, vetëm njëri i arrestuar, të tjerët në mungesë

TIRANË- "Hakmarrja për Drejtësi" rikthehet përsëri në skenë. Gjykata e Krimeve të Rënda, pas disa seancave gjyqësore të shtyra pambarimisht dje, arritën të deklarojnë të hapur shqyrtimin gjyqësor kundër dhjetë të pandehurve, akuzuar si pjesëmarrës në grupin "Hakmarrja për Drejtësi". Kjo dosje shumë e përfolur, pasi u rikthye nga shkalla e dytë e gjykimit me kërkesë të akuzës, u mor në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Prokurorët

Katër prokurorët Etjen Kapo, Eneid Nakuçi, Enrik Ligori dhe Genci Qano, i paraqitën dje gjykatës kërkesën për gjykim kundër të pandehurve. Dosja me emrat e shumë të kërkuarve, prej vitesh ka qenë e pranishme në qindra seanca gjyqësore vetëm me letra. Asnjë prej të pandehurve nuk ka qenë në sallën e gjyqit. Pas tetë vite hetimi intensiv nga Prokuroria, përfshi këtu edhe shqyrtimin gjyqësor nga Shkalla e Parë, të pandehurit e këtij grupi të "rrezikshëm" e gëzuan "lirinë" në letra vetëm për pak muaj. Ata janë akuzuar për dhjetëra vepra penale, që nga viti 1992 dhe deri në fillim të vitit 1996.

Akuzat

Të pandehurit që prej tetë vitesh mbajnë mbi shpinë akuzat e vjedhjes së bankave dhe arkave të shtetit, vjedhjes së arkave të disa pikave të karburantit, vjedhje me pasojë vdekjen e disa shtetësave, përfshi edhe policë, rrëmbimi i fëmijës Erjon Nushi, vënia e autobombës në supermarketin "Vefa", vrasja e ish- drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, gjetja e një arsenali armësh në shtëpinë e Zeliha Sinës, të marrë me qira nga i pandehuri Enkelejd Agaj. Në tetor të vitit 1996, ishte edhe fillimi i procedimit të hetimit për 11 të pandehurit. Tashmë kanë mbetur vetëm dhjetë, pasi njëri prej tyre, Enkeled Agaj, u gjet i vrarë në malin e Dajtit. Gjatë hetimeve të kryera për këtë grup, i cili bëri bujë të madhe, janë ndryshuar disa prokurorë. Të parët që kanë patur dijeni për këto ngjarje, janë Agim Shehu, ish-zëvendësministër dhe Bashkim Gazidede, ish-kryetar i SHIK-ut. Këta persona janë larguar nga Shqipëria, duke lënë një fushë të errët në këto hetime. Kjo ndodhi pasi këta kanë qenë të pranishëm në arrestimin e të pandehurve në tetor të vitit 1996 dhe më pas ia kanë lënë stafetën në dorë dy prokurorëve, Alban Kalaja dhe Andrea Thomollari. Edhe këta prokurorë e mbajtën çështjen në dorë për më shumë se tre vjet.

Provat, gjykata rrëzon kërkesat e mbrojtjes

Gjykata ka rrëzuar dje të gjitha kërkesat e avokatëve mbrojtës për të deklaruar të pavlefshme provat e akuzës. Sipas gjykatës, të gjitha aktet e sjella nga Prokuroria do të shqyrtohen gjatë seancave gjyqësore. Ndërsa në disa raste, gjykata i quajti të pambështetura në ligj kërkesat për pavlefshmëri të mbrojtjes. Përveç provave shkresore që janë të shumta në këtë proces, përfaqësuesit e akuzës kanë dorëzuar në gjykatë listën e gjatë të dëshmitarëve. Janë 90 dëshmitarë, të cilët prej vitesh janë thirrur në prokurori e gjykatë për të dhënë dëshminë e tyre dhe tashmë do të detyrohen ta ripërsërisin atë. Në listën e gjatë të dëshmitarëve ndodhet edhe emri i Erjon Nushit, i cili në momentin e rrëmbimit ishte vetëm dhjetë vjeç, ndërkohë që tani është i rritur. Po kështu në dosje janë të shënuar edhe emrat e personave të bankave, të cilët kanë qenë në punë në momentin që janë grabitur nga njerëz të armatosur dhe me maska. Nuk do të mungojë në sallën e gjyqit për të ripërsëritur dëshminë e tij edhe babai i ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, i vrarë në afërsi të shtëpisë. Lista me emrat e dëshmitarëve u është dhënë edhe avokatëve mbrojtës. Akuza mendon se dëshmitarët që do të thërrasë në sallën e gjyqit, do të japin një version krejt ndryshe nga ato që janë dhënë më parë dhe, gjithçka do të sqarohet përfundimisht. Sipas akuzës, ajo që i mban me shpresë se mund të fitojnë para mbrojtjes në gjykatë, janë mjetet me të cilat kanë lëvizur të pandehurit, para dhe pas ndodhjes së ngjarjeve. Prokuroria tha se në procesin gjyqësor do të kenë përparësi edhe provat shkresore si dhe ato materiale. Provat materiale kanë të bëjnë me armët e gjetura në shtëpinë e Zeliha Sinës, marrë me qira nga të pandehurit si dhe një arsenal i gjetur në Vlorë, në afërsi të shtëpisë së Pasho Novruzaj. Në provat shkresore, Prokuroria niset te deklaratat e bëra nga vetë të pandehurit, menjëherë pas arrestimit.

Tre të arrestuarit që nuk janë ekstraduar

Orik Shyt, Kreshnik Spahu dhe Altin Arapi, janë tre të pandehur, të cilët janë arrestuar jashtë Shqipërisë, por nuk janë ekstraduar. Altin Arapi është arrestuar në Belgjikë, një muaj pas vrasjes së gardistit Genci Sina. Belgët nuk e kanë ekstraduar dhe Arapi ka përfituar azil politik në qendrën evropiane. Arapi është i pandehuri i vetëm i kësaj çështje, që është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm, për vrasjen e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm, më 29 shtator 2003, në Tiranë. Ndërsa Orik Shyti dhe Kreshnik Spahiu, janë arrestuar më 5 shkurt 2004 në Bazel të Zvicrës. Edhe këto dy të pandehur janë në gjykim në mungesë, pasi kanë përfituar nga Zvicra azil politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›