E Hënë, 2 Nëntor 2026

Blutë e kryeqytetit zbulojnë 22 krime të vjetra për një muaj

08/05/2005  TIRANË- Policia e kryeqytetit arrin të zbulojë 67% të krimeve, të ndodhura vetëm në një muaj në Tiranë. Zëdhënësja e Policisë së kryeqytetit, Alma Katragjini tha dje se në orët e mesditës është zhvilluar analiza 1-mujore, mbi veprimtarine e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Gjatë muajit prill, sipas Katragjinit, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë synuar të realizojnë detyrat e vëna nga Ministria e Rendit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policise së Shtetit, për luftën kundër krimit të organizuar, marrjen e masave parandaluese kundër akteve terroriste, goditjen e grupeve të cilat kryejnë aktivitet kriminal, të trafiqeve të paligjshme, etj. Në territorin e Qarkut Tiranë, sipas zëdhënëses, janë evidencuar gjithsej 252 vepra penale dhe janë zbuluar 170 ose 67 % e tyre. Në veprimtarinë kriminale dhe keqbërëse janë implikuar gjithsej 230 autorë, janë arrestuar në kushtet e flagrancës 114 persona, proceduar në gjendje të lirë 103 persona. Janë kapur 32 persona në kërkim, si dhe janë zbuluar edhe 22 krime të vjetra. Nga sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar janë evidencuar dhe zbuluar 116 vepra penale. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë gjatë analizës një mujore të saj, vuri theksin në luftën kundër krimit dhe sidomos kundër atij të organizuar, trafiqeve, prostitucionit dhe në veçanti krimeve ndaj pasurisë së shtetasve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›