E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia e Tiranës diskuton statusin për zgjedhjet

08/05/2005  TIRANË- Zgjedhjet mbledhin sërish krerët e Policisë së Tiranës. Në një njoftim për shtyp, zëdhënësja e Policisë së kryeqytetit bëri të ditur dje, se gjatë muajit prill, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës krahas masave për zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, vëmendje të veçantë i kanë kushtuar edhe përgatitjes, për përballimin me sukses të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. Për këtë qëllim, sipas zëdhënëses së policisë, Alma Katragjini, në zbatim të planit të veprimit të Ministrisë së Rendit Publik është pregatitur një dosje e veçantë, ku janë vendosur dokumentet e domosdoshme që shërbejnë për mbarëvajtjen sa më mirë të rendit dhe të sigurisë si para, gjatë dhe pas zgjedhjeve parlamentare. Dosje të veçanta, me dokumentet për zgjedhjet, janë përgatitur gjithashtu edhe për komisariatet e policisë, të cilat do të shërbejnë për përballimin me sukses të detyrave jashtëzakonisht të rëndësishme dhe delikate që ka Policia e Tiranës për këto zgjedhje. Dje nën drejtimin e drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, është zhvilluar një seancë trajnuese me kuadrot e drejtorisë dhe të komisariateve të policisë, me qëllim përcaktimin e statusit që do të mbajnë strukturat policore. Gjithashtu, theksi u vu në bashkëpunimin me median, transparencën e policisë në kuadër të fushatës zgjedhore, pasqyrimi i masave të marra dhe të punës së strukturave të Policisë së Shtetit, për përballimin me sukses të procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›