Inspektorët e krimeve, pa dietat e shërbimeve jashtë Tiranës
08/05/2005 Ndonëse inspektorëve të krimeve në kryeqytet u kërkohet ndjekja e çështjeve penale edhe jashtë rrethit të Tiranës, puna e tyre mbetet e pajustifikuar. Nga burime pranë policisë së kryeqytetit dhe nga vetë inspektorë krimesh të kontaktuar nga gazeta, mësohet se asnjë prej tyre nuk ka marrë dieta për shërbimet e kryera jashtë rrethit. Kështu u është dashur që me fondin e tyre vetjak të shkojnë disa herë e të hetojnë në rrethe të ndryshme të vendit për çështje penale të ndodhura në zonat e tyre. Sipas tyre, fillimisht u është premtuar dieta nëse vinin në dispozicion faturat e udhëtimit, të fjetjes e të ushqimit që kanë konsumuar gjatë ditëve me shërbim në rrethe. Por kur janë kthyer nga shërbimi dhe gjithçka e kanë shpenzuar nga xhepi i tyre, nuk kanë mundur të marrin paratë e harxhuara gjatë shërbimeve në rrethe për shkak të detyrës. Sipas vetë disa inspektorëve të pyetur, mësohet se u është dashur të lëvizin jashtë Tiranës edhe disa herë për të njëjtën çështje, duke fjetur hoteleve. Por, pasi kanë vënë në dispozicion faturat e harxhuara, përgjigjja që kanë marrë është ajo se për momentin mungojnë paratë që u takojnë.