E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pranga dy punonjësit e rremë të SHISH

08/05/2005  Policia arreston Dëfrim Harizajn dhe Xhelal Shehun, kishin dokumente të falsifikuara

TIRANË- Prej dy vitesh bridhnin në rrugët dhe oborret e SHISH-it, me dokumente të falsifikuara të identidetit të tyre. Ata janë zbuluar vetëm ditën e djeshme nga ekspertët e komisariatit numër 2, të cilët pasi u kërkuan atyre që t'u jepnin dokumentet e identifikimit, mësuan se ato ishin të falsifikuara. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilat thanë se paditen e djeshme, nga Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimit Ekonomiko–Financiar, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve Dëfrim Harizaj, 37 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë, i padënuar dhe Xhelal Shehu, 45 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, i padënuar. Gjithnjë duke iu referuar burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se shtetasit e lartpërmendur janë kapur në flagrancë nga punonjësit e Komisariatit Nr.2, me dokumente identifikimi shtetërore, të SHISH-it, duke përvetësuar kështu titullin dhe detyrën shtetërore. Kjo vepër penale, sipas burimeve zyrtare të policisë, parashikohet nga neni 186, 246 të Kodit Penal, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.

Arrestimi

Burimet policore të komisariatit numër 2, thanë për gazetën se prangosja e dy personave ka ardhur si pasojë e një kontrolli të imtësishëm të dokumentacionit të tyre. Pasi u kanë kontrolluar dokumentet, punonjësit e këtij komisariati i dërguan ato në zyrën e sektorit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar, ekspertët e të cilit kanë vënë re menjëherë mashtrimin. Më pas ata u vunë nën pranga dhë u dërguan menjëherë në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Hetimi

Pas ndalimit të tyre, prokuroria dhe shërbimet e tjera sekrete kanë filluar një hetim intesiv në lidhje me këto falsifikime, pasi është cënuar rëndë reputacioni i këtij institucioni. Ndërkaq, burimet policore thanë se po hetohet edhe mbi pistën e mundshme të infiltrimit 2-vjeçar të këtyre peronave, për të grumbulluar sa më tepër informacion, të cilin edhe mund ta shisnin te shërbimet e huaja. Të gjitha këto pista janë ende në kuadrin e hamëndësimeve, pasi ende po hetohet në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë. Në deklaratat e të arrestuarve, sipas policisë, thuhej se ky ishte thjesht një gabim që duhej verifikuar

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›