E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ernest Koliqi, bisedë e fshehtë me amerikanët për regjimin e Enver Hoxhës

04/03/2005  Integriteti i Shqipërisë, një nga pikat më shqetësuese për emigracionin politik shqiptar. Cilat ishin bisedat më të nxehta në lidhje me krijimin e paktit ballkanik? Cili ishte qëndrimi i paktit ballkanik ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve? Çfarë bisedoi Ernest Koliqi në Romë me ambasadorin amerikan për gjendjen e Shqipërisë? “Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Në vitin 1953, Hasan Dosti u tha zyrtarëve të Departamentit të Shtetit se grekët kundërshtonin me ashpërsi përfshirjen e Bllokut Kombëtar Indipendent në KKSHL. Ai e lidhte këtë qëndrim me dyshimet e tyre për aspiratat e italianëve kundrejt Shqipërisë.

Në procesin e formimit të Paktit Ballkanik KKSHL, Balli Kombëtar dhe organizatat e tjera politike të rëndësishme të emigracionit shqiptar, shprehën publikisht shqetësimin për integritetin e Shqipërisë. Gazeta e Ballit Kombëtar “Flamuri”, e cilësonte komunikatën e përbashkët të anëtarëve të Paktit Ballkanik, të publikuar në Athinë, si të pamjaftueshme, për arsye se ajo dëshmonte që, Greqia nuk kishte hequr dorë nga kërkesat për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ndërsa angazhimin për “respektimin e pavarësisë së Shqipërisë”, ajo e konsideronte si tallje dhe fjalë të thatë, përderisa kishte ende fiqnjë, të cilët donin ta cungonin sërish kombin shqiptar.

KKSHL u dërgoi tre ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Paktit Ballkanik një telegram, ku kërkonte prej tyre garanci për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe të integritetit territorial të Shqipërisë. Në një deklaratë politike, KKSHL theksonte se, shqiptarët nuk ishin plotësisht të kënaqur nga deklarata e përbashkët greko-turko-jugosllave mbi Shqipërinë, për arsye se kjo deklaratë nuk jepte ndonjë garanci se, fqinjët tanë më të afërt i kishin kapërcyer pretendimet e tyre të padrejta ndaj territorit shqiptar dhe se, ajo i jepte argumente propagandës së Moskës dhe të qeverisë së E.Hoxhës, e cila trumbetonte se fqinjët do ta copëtonin Shqipërinë, në qoftë se qeveria komuniste do të rrëzohej. KKSHL-ja vinte në dukje se, një deklaratë tjetër e kundërt e tre ministrave të Jashtëm do t`ia kishte hequr këtë argument të vlefshëm regjimit të E.Hoxhës dhe do të kontribuonte në rrëzimin e tij. Por, nga ana tjetër, duke mos dashur të dilte kundër politikës së SHBA dhe të Fuqive të tjera Perëndimore, KKSHL-ja deklaroi se nuk do të mbante një qëndrim alarmues në këtë kohë, pasi nuk dëshironte të besonte se Pakti Ballkanik kishte ndonjë marrëveshje sekrete lidhur me Shqipërinë, shqiptarët ose territorin shqiptar. Ai e konsideronte Paktin si një gjë të mirë për Ballkanin dhe, rrjedhimisht, edhe për Shqipërinë. Në deklaratë thuhej se, ky Pakt do të siguronte detin Adriatik dhe detin Egje nga Moska, do të krijonte një ekonomi më të shëndoshë e kushte më të mira jetese në këtë pjesë të botës dhe se, KKSHL-ja mezi priste ditën kur edhe Shqipëria do të bëhej anëtare e këtij Pakti, bashkë me Italinë, Bullgarinë dhe vendet e tjera.

Edhe Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar i dërgoi një telegram ministrave të Jashtëm të tre vendeve të Paktit, që ishin mbledhur në Ankara si dhe një telegram tjetër të veçantë ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, të cilëve u kërkonte garanci për tërësinë territoriale të shtetit shqiptar.

Në këtë kohë, kolonia shqiptare në Turqi, nën kryesinë e Rexhep Mitrovicës, filloi një fushatë për ta bërë të interesuar Turqinë në problemin shqiptar. Për pasojë u aktivizua edhe shtypi turk me një sërë artikujsh dhe komentesh, të cilët theksonin rëndësinë strategjike që kishte Shqipëria në sistemin mbrojtës të Evropës Perëndimore dhe të Ballkanit. Ndërsa fletorja “Shqipëria”, organ zyrtar i KKSHL-së, botoi një letër të hapur drejtuar tre anëtarëve të Paktit Ballkanik, e cila, pasi vlerësonte rëndësinë strategjike të Shqipërisë në mbrojtjen e Ballkanit, kërkonte prej tyre të shpejtonin pranimin e saj në Paktin Ballkanik, duke ofruar krijimin e një Shqipërie të lirë, demokratike dhe të pavarur.

Reagimet e emigracionit politik shqiptar ndaj Paktit Ballkanik, dëshmonin se politika e tij mbetej konsekuente dhe e qartë. Në kongresin e Ballit Kombëtar, në mars të vitit 1954, u nënvizua zbatimi me vendosmëri i parimit se, “një ndryshim i gjendjes në Shqipëri, që do të shoqërohej ‘me cënimin e territorit dhe të pavarësisë kombëtare’, nuk mund të pranohej kurrë prej Ballit Kombëtar. Kurse, një çlirim i vërtetë, me respektimin e të drejtave të shqiptarëve, është objektivi i përpjekjes sonë”. Duke analizuar politikën 15-vjeçare të Ballit Kombëtar në emigracion, Vasil Andoni theksonte se, “pika kryesore ku kemi synuar dhe vepruar si parti dhe si pjesëtarë të rëndësishëm të KKSHL-së, ka qenë të shtyjmë demokracitë e mëdha, të ndërhyjnë pranë fqinjëve tanë, që ata të heqin dorë nga planet e errëta të tyre dhe të japin siguri për pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë”. Ai gjykonte se ishte bërë njëfarë progresi në këtë drejtim, pasi Italia, disa herë, kishte deklaruar se respektonte pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë, ndërsa Greqia e kishte zbutur disi qëndrimin, duke deklaruar se nuk mendonte t`i zgjidhte me forcë kërkesat e saj ndaj Shqipërisë. Athina vazhdonte të vëzhgonte nga afër të gjitha lëvizjet e krerëve të emigracionit politik shqiptar. Në prill të vitit 1957, Ernest Koliqi bisedoi me zyrtarë të ambasadës amerikane në Romë, të cilëve u tha se dy muajt e ardhshëm do të ishin jashtëzakonisht kritik për Shqipërinë. Për këtë arsye, SHBA duhej të bënin një deklaratë të ngjashme, me atë që kishte bërë qeveria italiane lidhur me integritetin tokësor të Shqipërisë, me qëllim që të pakësohej frika e Shqipërisë kundrejt ndonjë marrëveshjeje të re të mundshme sovjeto-jugosllave. Kjo bisedë u interceptua prej grekëve, të cilët reaguan menjëherë, duke pyetur amerikanët nëse ndonjë grup apo personalitet i emigracionit politik shqiptar, i kishte kërkuar qeverisë së SHBA që të bënte një deklaratë lidhur me integritetin tokësor të Shqipërisë. Këshilltari i ambasadës greke në Romë mbeti i kënaqur, kur mësoi prej amerikanëve se askush nuk kishte bërë një kërkesë të tillë.

I shqetësuar nga afrimi i ri ruso-jugosllav, edhe A.Zogu, nëpërmjet ambasadës amerikane në Paris, i kërkoi qeverisë amerikane që, Senati amerikan të rishqyrtonte rezolutën e vitit 1945 lidhur me Shqipërinë e Jugut. Kjo kërkesë iu transmetua zëvendëspresidentit amerikan. Por amerikanët nuk e diskutuan më tej këtë çështje me Zogun. Departamenti i Shtetit e mbajti këtë qëndrim për dy arsye kryesore: “sepse, kjo ishte një çështje që lidhej me një pretendim të ndjeshëm territorial të njërit prej aleatëve të NATO-s, Greqisë” dhe, sepse Departamenti “nuk donte të ngatërrohej me ish-mbretin Zog, lidhur me politikën e SHBA ndaj Shqipërisë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›