E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bobi”, kurban në muajin e Ramazanit

"Bobi" nuk është më bardheblu. Është tashmë një i papunë. Ashtu si Mourinjo në Angli, por në miniaturë. Edhe pse Starova konsiderohet nga specialistët e futbollit shqiptar si një nga trajnerët më të mirë në vend. "Bobi" i ardhur më bujë (kontratë 100 milion lekë) nga Teuta është thjesht tani një i rishkarkuar nga Tirana, ashtu si në vitin 2005, kur e larguan nga drejtimi i bardhebluve edhe pse u kishte dhënë titullin e 21-të tyte. Koka e Sulejman Starovës e vendosur në "tepsinë" e tavolinës katërshe të donatorëve është prerë. Për të ndarë më dysh edhe "Pokerin" drejtues të skuadrës kampione. Të zbehur shumë në tri ndeshjet e para të kampionatit. Ishte Refik Halili, "atentatori" i Starovës. Ishte këmbëngulja e njeriut që jep 250 mijë dollarë në sezon për skuadrën më të pasur në Shqipëri, për ta flakur "Bobin".
Halili dje në mbrëmje e tha qartë: "Largohem përfundimisht, nëse nuk hiqni Starovën". Dhe me deklaratën e tij u bashkua edhe donatorja e vetme femër në Shqipëri, Shefikat Ngjela. Largimi i të dyve do të thoshte shkatërrimi përfundimtar i Tiranës, dhe për të mos ta lejuar këtë, Starova është bërë kurban në muajin e Ramazanit.
Drejtimin e skuadrës do ta marrë Shkëlqim Muca, trajneri hije dhe sekretari i klubit. Njeriu që e ka nxjerrë tri herë kampion Tiranë, por dhe tekniku që zëvendësoi sezonin e kaluar Mirel Josën, edhe pse ky ishte në vend të parë. Gjëra që ndodhin.
Ndoshta edhe presidenti i Vllaznisë, Valtër Fushaj është lodhur duke e mbajtur Mirelin në Shkodër. Me një pikë në tri ndeshje dhe me 270 minuta pa shënuar një gol (ka në përbërje Vioresin Sinanin, "këpucën e artë" të sezonit të kaluar), ndoshta do të ishte më mirë që Josa te merrte drejtimin për fushën stërvitore "Skënder Halili", që për koincidencë ka mbiemrin e Refikut...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›