E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten shpresa, raund i tretë regjistrimesh në universitete



Vendet bosh do të shpërndahen te jofituesit

Regjistrim edhe për filialin e Lushnjes

Të gjithë maturantët që deri tani nuk kanë fituar një shkollë të lartë, mund të shpresojnë ende. Kjo, pasi Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka përgatitur skenarët e mundshëm të fazës së tretë të regjistrimit të maturantëve në universitete, në rast se mbeten vende bosh edhe pas fazës së dytë. Burime nga kjo ministri bëjnë të ditur se kjo fazë e re regjistrimesh pritet të kryhet me formular të posaçëm të cilin do e plotësojnë jofituesit në universitete, ndërkohë që në këtë fazë do të përfshihen edhe kandidatët për në filialin e porsaçelur të Universitetit Bujqësor të Tiranës në Lushnjë.

Rishpërndarja

Rishpërndarja e kuotave që do të mbeten bosh pritet të bëhet me anë të një formulari të tretë të Maturës Shtetërore, që do të përdoret vetëm në rast se vendet e mbetura bosh janë të shumta, sipas burimeve nga Ministria e Arsimit. Këto burime bëjnë të ditur se në rast se vendet bosh janë të pakta, atëherë do të vijohet me procedurën normale të shpalljes së fituesve në universitete.

Ndërkohë, nëse numri i vendeve bosh do të jetë i konsiderueshëm, atëherë Ministria e Arsimit do të nxjerrë një formular të ri, Formularin A3, të cilin do ta plotësojnë ata maturantë që nuk kanë fituar një shkollë të lartë, por janë ende të interesuar të vijojnë studimet në një institucion publik të arsimit të lartë. Më pas, ata do të renditen në vendet e mbetura bosh dhe do të thirren të regjistrohen. Burimet bëjnë të ditur se kjo do të jetë etapa e fundit e regjistrimit, pasi edhe nëse do të mbeten sërish kuota bosh, ato nuk do të rishpërndahen.

Filiali i Lushnjes

Por, në këtë fazë të tretë do të shtohet edhe filiali i Universitetit Bujqësor të Tiranës në Lushnjë, që u miratua me vendim vetëm katër ditë më parë. Vendimi në fjalë i Këshillit të Ministrave mundësoi hapjen e tre programeve të nivelit të parë në Lushnjë, për “Drejtim fermash dhe agrobiznesi”, “Financë-kontabilitet” dhe “Hortikulturë”. “Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që regjistrohen në vitin e parë, në këto programe studimi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, është 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë”, – përcakton vendimi.

Ndërkohë që numri i studentëve në vitin e parë do të jetë i ulët për shkak të pilotimit të këtyre programeve në Lushnjë. 25 kuota do të jenë të vlefshme për secilën nga degët, në sistemin me kohë të plotë. Vlen të theksohet se çelja e këtij filiali është miratuar dy vite më parë nga senati akademik i Universitetit Bujqësor të Tiranës, ndërkohë që vetëm tani është vendosur në jetë me vendim të qeverisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›