E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: 600 milionë euro për krizën, gjysma nga privatizimet

23/12/2008  Debate në Komisionin e Ekonomisë. Overdraft KESH-it për fundvit

Për të përballuar efektet e krizës vitin e ardhshëm Qeveria ka lënë mënjanë 600 milionë euro. Gjysma e tyre është nga privatizimet e shoqërive shtetërore si ARMO, OSSH-ja apo INSIG, ndërsa 300 milionë euro të tjera, Ministria e Financave pret t’i sigurojë në tregun ndërkombëtar. Kjo bëhet me qëllim që sistemi bankar në vend të vijojë kreditimin e ekonomisë. Deklaratën e ka bërë dje ministri i Financave në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku ka paraqitur aktin normativ për ndryshimet në ligjin e buxhetit të shtetit. Opozita e ka kundërshtuar këtë akt normativ duke u shprehur se ai bie ndesh me nenin 160 të Kushtetutës. Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, madje theksoi se Qeveria po zbukuron trendin në rënie të ekonomisë.

Rialokimet

Me këtë akt normativ rialokohen rreth 12 miliardë lekë fonde në total, rreth 4 miliardë lekë për investime, 2.7 miliardë lekë për import energjie, 600 milionë lekë për faturat e papaguara të ujësjellësve të Tiranës dhe Durrësit ndaj OSSH-së për energjinë e përdorur dhe rreth 2.7 miliardë lekë për shpërblimet e fundvitit për pensionistët në masën 5 mijë lekë dhe buxhetorët 10 mijë lekë.

Overdraft për KESH-in

Ministri Bode pranoi se sipas përllogaritjeve që ka bërë ERE-ja Korporata Elektroenergjetike nuk duhet të marrë financim nga buxheti. “Por, kompania nuk ka fitim shtesë që të mund të realizojë një program investimesh. Për herë të parë këtë vit ne po i japim një kredi me 0 për qind interes nga buxheti. Në momentin që kompania do të jetë në gjendje do të fillojë t’i shlyejë ato”, theksoi Bode. Ai theksoi se Banka Botërore ka propozuar që edhe kjo të konsiderohet borxh publik. “Jemi duke kërkuar një zgjidhje dhe po negociojmë me FMN-në për detyrimet që ka KESH-i ndaj kompanive të tjera”, tha Bode. Ministri i Financave pranoi se këtë vit është krijuar një deficit në prodhim. “Ne nuk prodhuam dot maksimalisht për vitin 2008, sepse nuk ka pasur reshje”, tha ai. Prodhimi arrit në 3,5 megavat orë energji nga 4 megavat orë energji që ishte programuar. Këto deklarata janë kundërshtuar nga deputeti i PS-së, Andis Harasani, sipas të cilit ka një mungesë totale informacioni nga institucionet shtetërore.

Ndryshimet e aktit normativ

· Rriten të ardhurat jotatimore me 2 miliardë lekë

· Ulen të ardhurat e pushtetit vendor me 2.5 miliardë lekë

· Ulen kontributet e sigurimeve shoqërore me 2.9 miliardë lekë

· Transferta e buxhetit për sigurimet rritet me 2.1 miliardë lekë

· Ulen shpenzimet për borxhin me 1.9 miliardë lekë nga të cilat 1 miliard lekë interesa dhe 0.9 miliardë lekë ripagesat

· Ulen shpenzimet e personelit me rreth 0.9 miliardë lekë

· Ulen shpenzimet operative me rreth 0.2 miliardë lekë

· 3,6 miliardë lekë rishpërndahen në fondet e investimeve brenda dhe midis programeve

· 2.7 miliardë lekë për shpërblimin e pensionistëve

· 600 milionë lekë për detyrimet e ujësjellësve për energjinë

· Hua KESH-it 2.6 miliardë lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›