Guvernatorit Fullani, në fundvit me artistë e gazetarë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me rastin e mbylljes së vitit, zhvilloi një takim me publicistë të njohur, analistë të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë të njohur të shtypit të shkruar dhe medias elektronike. Ky takim u organizua në vijim të dialogut intensiv dhe të vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë ndërton dhe zhvillon me tregun financiar dhe grupe të ndryshme interesi, ndër të cilët një vend kryesor zë dhe media. Guvernatori në fjalën e tij ka bërë një ekspoze të zhvillimeve ekonomike të ndodhura gjatë këtij viti dhe punës së bërë nga Banka e Shqipërisë në ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe të qëndrueshmërisë financiare të sistemit bankar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka falënderuar të pranishmit për qëndrimet, analizat dhe vlerësimet e deritashme në shtyp. Ai shprehu besimin e tij se edhe në të ardhmen analiza dhe komentet e opinionistëve do të vazhdojnë të jenë objektive dhe realiste. “Media nëpërmjet mesazheve të saj ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të besimit publik mbi infrastrukturën dhe institucionet financiare të vendit”, – u shpreh Guvernatori Fullani në fjalën e tij. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjithashtu evidentoi disa prej projekteve madhore, ku Banka e Shqipërisë u përfshi në mënyrë intensive gjatë vitit 2008, disa prej të cilave do të materializohen përfundimisht në vitet në vijim. Në përfundim të këtij takimi, Guvernatori Fullani shpalli edhe fituesit e konkursit “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë”, për vitin 2008. Komisioni i vlerësimit në Bankën e Shqipërisë, pasi shqyrtoi aplikimet e shumta të ardhura nga studentë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, në universitetet më të njohura shqiptare dhe evropiane, ka vendosur të akordojë çmimet e mëposhtme: Çmimi i parë: Valer Zaho, student në Universitetin “Middlesex Business School”, me temën “Efikasiteti dhe rritja e produktivitetit të bankave shqiptare nga 1996-2006”. Çmimi i dytë: Arens Arbana, student në Universitetin La Sapienza, Romë, me temën e masterit “Indeksi i Çmimit të Konsumatorit: Analizë e serisë historike në Shqipëri”. Çmimi i tretë: Leon Petani, student në Universitetin Dokuz Eylul në Turqi, me temën e masterit “Hyrja e bankave të huaja në sistemin bankar të vendeve në tranzicion: Rasti i Shqipërisë”. Dhënia e këtij çmimi, e cila tashmë përbën një traditë të përvitshme të Bankës së Shqipërisë, synon të nxisë studentët që të ndërmarrin studime të thelluara në fushën e bankingut qendror dhe të ekonomisë në përgjithësi, duke shërbyer edhe si një mundësi e mirë për Bankën e Shqipërisë për të thithur burime njerëzore të kualifikuara.