E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk kam pasur raport me Gëzim Peshkëpinë që më akuzon”

23/12/2008  Prokurori Zamir Shtylla reagon pas akuzave në media

TIRANE- Pas akuzave të shumta dhe nga një intervistë e botuar në një të përditshme, Drejtori i Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Zamir Shtylla, ka vendosur të thyejë heshtjen. Me anën e një njoftimi zyrtar të zëdhënëses Holta Zhiti, njeriu më i përfolur i momentit si dhe drejtuesi i hetimeve të tragjedisë së Gërdecit, i ka hedhur të gjitha akuzat poshtë duke i quajtur ato si sulme apo presione për shkak të detyrës zyrtare në punën e tij si prokuror. Duke marrë shkas nga akuzat në media të shtetasit Gëzim Peshkëpia, prokurori Zamir Shtylla ka folur edhe për sulmet më të fundit mes të cilave edhe akuzat e Kryeministrit Berisha. “Përpjekjet e bëra së fundi, duke më atribuar veprime që nuk janë kryer prej meje, i konsideroj abuzive, për të denigruar figurën time dhe presionin për shkak të detyrës zyrtare që aktualisht kryej”, thuhet në njoftimin për shtyp të Zamir Shtyllës. Duke ju përgjigjur edhe pretendimeve të shtetasit Gëzim Peshkëpia, i cili deklaroi se është torturuar nga Shtylla në vitin 1975, drejtuesi i dosjes “Gërdeci” hedh poshtë këto akuza. “Gjatë gjithë karrierës time si prokuror dhe hetues nuk kam patur proces hetimor me zotin Gëzim Peshkëpia apo pjesëtarë të familjes së tij. Deklarimi publik në media se Gëzim Peshkëpia është hetuar prej meje në vitin 1975, është i pavërtetë dhe ritheksoj edhe njëherë se me këtë person nuk kam pasur asnjë raport të lidhur me punën time. Unë kam filluar punë në gusht të vitit 1976 një vit më vonë nga sa Peshkëpia pretendon se është hetuar”, tregon Zamir Shtylla. Ndërkaq, Gëzim Peshkëpia njoftoi dje se “Rikonfirmoj edhe njëherë dëshminë time për hetuesinë çnjerëzore dhe rrahjet barbare që kam pësuar nga hetuesi Kosta Gazeli, duke rikonfirmuar gjithçka kam deklaruar për prokurorin Zamir Shtylla dhe për të gjithë ata persekutorë të tjerë, që me një zell më të madh se vetë linja zyrtare e diktaturës, kanë ushtruar të njëjtat tortura mbi miqtë e mi të burgosur politikë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›