E Diel, 1 Nëntor 2026

Rialokimi i fondeve, debat mes deputetëve për 12 miliardë lekë



Bode: Këto para, për investime dhe për të blerë energji

Të ardhurat nga ARMO, për investime në 2009-n

Një akt normativ, i cili bazohet në shpërndarjen e kontigjencave, si dhe në rialokimin e kursimeve dhe shpenzimeve që janë bërë për periudhën 11-mujore, është diskutuar dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ky akt normativ është bërë shkak për një debat të fortë mes deputetëve, për shkak të rishpërndarjes që do t’i bëhet fondit. Bëhet fjalë për aktin normativ të qeverisë për rialokimin e rreth 12 miliardë lekëve fonde, të cilat do të përdoren për qëllime të ndryshme. Ministri Bode, i pranishëm në komision, iu sqaroi deputetëve shpërndarjen e këtij fondi në zëra të veçantë. Bode theksoi në komision se me aktin normativ synohet zgjidhja e një sërë problemesh. “Kemi një rialokim të investimeve në vlerën 4 miliardë lekë nga objekte dhe programe, të cilat kanë pasur një ecuri jo të mirë drejt programeve dhe projekteve që kanë pasur ecuri shumë të mirë”, - tha Bode. Sipas ministrit të Financave, akti normativ synon t’i japë fondet e nevojshme KESH–it prej rreth 2.7 miliardë lekë, që të vijojë programi i miratuar nga qeveria për sigurimin e energjisë elektrike përmes importeve. “Sigurisht që përmirësimi i tregut të importeve tashmë e bën më optimiste përdorimin e kësaj shume që ne i akordojmë korporatës, por sidoqoftë për të shëndoshur gjendjen financiare të kësaj korporate dhe për të mënjanuar efektet që ka pasur rritja e çmimeve, më parë është akorduar shuma prej 2.7 miliardë lekësh”, - theksoi ministri i Financave. Bode sqaroi se jepen edhe 600 milionë lekë për OSSH–në, për shlyerje të faturave që kanë të bëjnë me ujësjellësit e Tiranës dhe Durrësit, të cilët nuk kanë bërë pagesën në kohë të energjisë së përdorur për shpërndarjen e ujit. Ministri i Financave sqaroi se ky buxhet rialokon shpenzimet e kursyera, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, si dhe financimin e borxhit, kostoja e shërbimit të borxhit publik prej rreth 2.7 miliardë lekë, të cilat destinohen për t’u përdorur për shpërblimin e fundvitit për të gjithë pensionistët në masën 5 mijë lekë për çdo pensionist. “Buxheti siguron financimin normal të skemës së kontributit të sigurimeve shoqërore për 2.1 miliardë lekë, të cilat sikurse e thashë, nuk u arritën sipas parametrave që ne kishim parashikuar me një rritje prej 22 %”, - sqaroi ministri i Financave. Ai më pas ka sqaruar edhe burimet e financimit të këtyre alokimeve:

3.6 miliardë janë kursime nga tenderat e bërë apo nga ato të parealizuara në disa institucione, të cilat do të destinohen tërësisht për të financuar investimet publike. Pra nga 3.6 miliardë lekë që është mosrealizimi apo kursimet, ne do të shtojmë 4 miliardë lekë përmes aktit normativ, si shtesë mbështetjeje për financimin e investimeve, të cilat kanë ecuri më pozitive gjatë periudhës 11-mujore. Bode tha se rreth 4.2 miliardë lekë kanë qenë në kontigjencat, të cilat do të çlirohen tani për t’u vendosur në dispozicion të ekonomisë dhe për të përballuar rritjen e kërkesës konsumatore në treg, siç mendojmë për të dhënë një shpërblim në fundvit, për pensionistët 5 mijë lekë dhe për zyrtarët, nëpunësit publikë nga 10 mijë lekë deri në një pagë të plotë mujore, sipas fondeve që kanë në dispozicion ministritë dhe sipas rezultateve të punës që ka pasur administrata publike, sepse jemi në periudhën kur bëhet edhe vlerësimi i saj. Rreth 1.9 miliard lekë janë kursime nga shërbimi i borxhit të brendshëm që rialokohen për t’i destinuar në zëra investimesh, tituj investimesh dhe programe, të cilat do të përdoren në periudhën 11-mujore sipas nevojave që ne kemi flokuar në aktin normativ. Rreth 1.1 miliard janë kursime nga shpenzimet korente përmes procedurave të tenderimit apo proceseve të tjera të administrimit nga ana e institucioneve dhe që vihen në dispozicion për t’u alokuar. Bode tha gjithashtu se paratë e siguruara nga privatizimi i ARMO-s do të përdoren vitin e ardhshëm në mbështetje të investimeve, si dhe për të mbështetur me likuiditete ekonominë. Opozita u shpreh gjatë diskutimit kundër aktit normativ të qeverisë. Deputeti socialist, Arben Malaj, tha se akti normativ përbën në vetvete ndryshim të buxhetit nga ana e qeverisë. Sipas socialistëve, qeveria po bën përpjekje për të fshehur trendin në rënie të ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›