E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eurosong”, shansi i këngëtarëve të rinj

23/12/2008  Edhe këtë herë Festivali i Këngës në Radiotelevizion ka kurorëzuar si fituese një këngëtare të re, që për herë të parë merrte pjesë në këtë ngjarje kombëtare të këngës. Kejsi Tola është shpallur fituese e edicionit të 47-të të Këngës dhe është ajo që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong”, që këtë vit mbahet në Moskë.

Ish-etheistja 16-vjeçare duket se për kompozitorin Edmond Zhulali dhe poetin Agim Doçi përsërit fatin që pati disa vjet më parë me këngëtaren e dalë po nga “Ethet”, Anjeza Shahini (Shahini u klasifikua e 7-ta në “Eurovizion” në vitin 2004).

Kënga “Më merr në ëndërr”, me muzikë dhe orkestrim të Zhulalit dhe tekst të Doçit, duket se e kompensoi orkestruesin Zhulali për mosfitoren e një viti më parë me këngën e interpretuar nga Flaka Krelani dhe Doruntina Disha (Jeta kërkon dashuri), për të cilën ai nuk ngurroi as të reagojë.

Porse duket se tanimë këto janë të shkuara të harruara.

“Vjet kisha shumë dëshirë të fitoja, për faktin se festivali zhvillohej në Serbi dhe doja të merrja pjesë, meqë kënga kishte shumë elemente shqiptare. Por tani të shkuara të harruara”, - u shpreh pas festivalit për TVSH-në artisti Zhulali.

Duke e quajtur Festivalin Evropian “festë të madhe të muzikës”, që gjithsesi nuk njeh kufij mes artistëve, por i bashkon përmes artit, kompozitori nënvizoi se për të dhe bashkëpunëtorët e tij pjesëmarrja në “Eurovizion”, për më tepër në vendin e muzikës, të Çajkovskit të madh, ishte një përgjegjësi shumë e madhe.

Ai theksoi se kënga do të përpunohet sërish, do të shihet në gjithë elementet e saj dhe puna për këtë do të fillojë menjëherë.

“Mbetet dëshirë e madhe ta ngremë Shqipërinë sa më lart. Që tani do të bëjmë një punë të madhe. Do të punohet sërish me këngën. Dhe kam shumë besim se do t’ia dalim.”

Zhulali vlerësoi bashkëpunimin me poetin Agim Doçi, por edhe interpretimin dinjitoz të Tolës. “Kompozitori asnjëherë nuk e di çfarë do të shkruajë. E rëndësishme është se unë i kam besuar shumë festivalit, e kam bërë gjithmonë me shumë përkushtim, sepse përherë e kam konsideruar si liderin e këngës shqiptare. Skenën ku është krijuar muzika shqiptare dhe ka hedhur hapat e parë, ku është mbajtur gjallë dhe është zhvilluar kënga shqiptare. Kjo gjithmonë më ka shtyrë të jem shumë serioz në bashkëpunimet me këtë festival. Megjithatë, që të jesh i suksesshëm në përfaqësimin e një festivali, në radhë të parë kompozitori duhet të ketë frymëzimin dhe të qëllojë, të ketë dhe pak fat. Kjo sigurisht është e lidhur me profesionalizmin dhe me interpretimin. Që të jetë më e suksesshme kjo këngë, të gjitha elemente duhet të jenë bashkëpunues dhe të kenë vlera. Në radhë të parë do të vlerësoja poezinë e bashkëpunëtorit tim, me të cilin kam pasur sukseset më të mëdha, poetin e mirënjohur Agim Doçi. Dhe veç kësaj bashkëpunimin me një këngëtare shumë të talentuar, zbulimi i një spektakli që ka dhënë kontribut shumë të madh, ‘Ethet’, Kejsi Tola, këngëtare me zë shumë të bukur dhe melodioz”, - përfundoi Zhulali.

Nga ana tjetër poeti Agim Doçi e vlerësoi nga ana e vet si një festival jo shumë të lehtë, edicionin e 47-të t Këngës në RTSH.

“Do ta quaja një triumf të stafit të Televizionit Publik Shqiptar, edhe pse ka shumë tentativa për të dërguar këngën te njerëzit, ka festivale që organizohen dhe nga personalitete të tjera. Ky festival i 47-të për mua dhe Mondin ishte një festival jo i lehtë, se të gjitha këngët garonin në finish”, ë- tha Doçi, sipas të cilit kishte shumë këngë të tjera të bukura, ku veçoi atë të Luiz Ejllit e Juliana Pashës, e veçanërisht këngën e “West Side Family”.

Mes emocioneve të mëdha, Kejsi Tola vërejti se kjo fitore menjëherë pas asaj në “Ethe” e bën që të punojë më shumë për të nderuar Shqipërinë në Moskë. “Është emocion shumë i madh. Ishin dy fitore radhazi. Them se do të punoj shumë që ta nderoj Shqipërinë në Moskë”, - tha Tola, duke shpjeguar se, edhe pse nuk e gjen shumë veten në tekstin e këngës, ndihet shumë mirë në muzikën e saj dhe në interpretim.

Një rezyme e shkurtër

Festivali erdhi nën prezantimin e treshes Elsa Lila, Julian Deda e Gentian Zenelaj. Me regji të Pali Kukes, skenar të Kukes e Koloreto Cukalit, drejtor artistik i festivalit ishte Pirro Çako. 20 këngët e festivalit u ngjitën në skenë për tri net me radhë, me një formulë ndryshe nga herët e tjera (nuk pati përzgjedhje gjatë netëve të festivalit, por ishin të njëjtat këngë që u ngjitën gjatë tri netve). Këngët u vlerësuan nga një juri prej 7 anëtarësh, e përbërë nga Eno Koço, Gjergj Bojaxhi, Florenc Boshnjaku, Gentian Demaliaj, Nora Çashku, Myfarete Laze dhe Leonardo Leopoldi. Vlerësimit të jurisë iu shtua edhe 20% nga votat e publikut. Natën e parë e të tretë këngët u kënduan live, ndërsa në të dytën ato erdhën të regjistruara, të riorkestruara dhe nën shoqërinë e një këngëtari tjetër. Shpesh pati dhe probleme teknike gjatë interpretimit të këngëve, të lidhura me foninë, mikrofonin e kështu me radhë. Pa përmendur dhe elemente të tjera që nuk ishin në nivelin e tyre më të mirë. Të ftuar në festival ishin kampioni i botës në dancin sportiv, shqiptari Driton “Tony” Dovolani, i cili prej vitesh jeton në SHBA. Një i ftuar i veçantë ishte edhe këngëtari i njohur italian Enrico Ruggeri, në të njëjtën kohë edhe një drejtues televiziv. Ai interpretoi për publikun shqiptar bashkë me Elsa Lilën këngën që është kolona zanore e filmit të ri të Gjergj Xhuvanit, “Lindje, Perëndim, Lindje”.

Çmimet

- Çmimi i parë: “Më merr në ëndërr”, këndon Kejsi Tola, kompozitor Edmond Zhulali, teksti Agim Doçi.

- Çmimi i dytë: “Një jetë”, këndon Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli, kompozitor Shpëtim Saraçi, teksti Turian Hyskaj.

- Çmimi i tretë: “Jehonë”, këndon Grupi “West Side Family”, kompozitor Ardit Gjebrea, dr. Flori, teksti dr. Flori

Konkurrentët dhe vlerësimi

Kejsi Tola - “Më merr në ëndërr” (126 pikë). Kompozitor Edmond Zhulali

Juliana Pasha & Luiz Ejlli - “Një jetë” (119 pikë). Kompozitor Shpëtim Saraçi

Grupi “West Side Family” - “Jehonë” (118 pikë). Kompozitor Ardit Gjebrea dhe dr. Flori

Besa Kokëdhima - “Ajër” (109 pikë). Kompozitor Alban Male

Marjeta Billo – “Era e tokës” (106 pikë). Kompozitor Adrian Hila

Grupi “Burn” - “Jam i pari i jetës sime” (96 pikë).

Dorina Garuci - “Ditë, një jetë” (92 pikë). Kompozitor Dorian Nini

Adelina Thaçi - “Orët e fundit” (91 pikë). Kompozitor Alfred Kaçinari

Endri & Stefi Prifti - “Ti bëre faj” (91 pikë). Kompozitor Josif Minga

Evis Mula - “Unë jam dashuria” (91 pikë). Kompozitor Luan Zhegu

Erga Halilaj - “Dikush mungon” (63 pikë). Kompozitor Kristi Popa

Rovena Dilo & Gent Bushpepa - “Sjam baladë” (60 pikë). Kompozitor Armend Rexhepagiq

Agim Poshka - “Fajtor për ngrohjen globale” (56 pikë). Kantautor

Vedat Ademi - “Po më prite” (51 pikë). Kompozitor Kledi Bahiti

Era Rusi - “Shpirt i humbur” (50 pikë). Kompozitorë Arsen Nasi, Bledar Skënderi.

Soni Malaj - “Zona zero” (44 pikë). Kompozitor Florian Mumajesi

Emi Bogdo - “Kur buzët hënën e kafshojnë” (43 pikë)

Kujtim Prodani - “Nostalgji” (24 pikë). Kantautor

Shpat Kasapi - “Aromë mediterane” (22 pikë). Kompozitor Gent Myftara

Julian Lekoçaj - “Nuk je ti” (17 pikë). Kantautor

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›