E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata administrative të miratohet me konsensusin e palëve

23/12/2008  Konfindustria paraqet propozimet mbi projektligjin e paraqitur në Kuvend

Konfindustria zhvilloi dje seancë dëgjimore për projektligjin e Gjykatës Administrative me Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë. Si nismëtare e kërkesës drejtuar prej më shumë se 1 viti e gjysmë vendimmarrjes politike të të gjitha ngjyrave, duke marrë edhe miratimin në parim, për domosdoshmërinë e krijimit të Gjykatës Administrative të pavarur nga ekzekutivi, sipas shembullit të vendeve të zhvilluara dhe demokratike, kërkoi në Komision përshpejtimin e procedurave ligjore për funksionimin sa më të shpejtë të institucionit në fjalë. Madje në takim është theksuar se edhe tani ky vendim është mjaft i vonuar krahasimisht të gjitha vendeve të tjera jo vetëm të BE-së, por edhe të rajonit. Për administratorin e përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, mungesa e saj në Sistemin e Drejtësisë godet rënde psikologjikisht dhe realisht biznesin në përgjithësi dhe industritë shqiptare në veçanti sikundër dhe qytetarët shqiptare, që përballen çdo ditë me aktet administrative të institucioneve shtetërore. Sa më sipër është konsideruar domosdoshmëri për më shumë në kushtet e krizës globale ekonomike dhe financiare me pasoja të pashmangshme edhe në vendin tonë ku pjesa më e prekur janë industritë shqiptare dhe në kushtet kur ligji i ashtuquajtur i “gjobave” është në fuqi. Buxhuku shtoi se Konfindustria, gjithashtu ka ndjekur nga afër gjithë procesin përkatës të formulimit të draftit ligjor përkatës nga Ministria e Drejtësisë. Duke patur parasysh: - nevojën e fillimit sa më të shpejtë të punës së gjykatës, - domosdoshmërinë e miratimit me 3/5 të votave ku roli i opozitës është vendimtar si dhe - përmbajtjen e PL të paraqitur në Kuvend nga Qeveria, Konfindustria kërkoi në seancë dëgjimore njëkohësisht nga shumica dhe pakica kryesore politike, përmirësimin e draftit në disa pika. Veçimin e P-L për Gjykatën Administrative nga Paketa Ligjore për Drejtësinë dhe miratimin në një kohë sa më të shpejtë me konsensus nga pozita dhe opozita nga Kuvendi i Shqipërisë të PL. Duke vlerësuar parimisht Draftin e PL të paraqitur Konfindustria kërkoi domosdoshmërinë e ndryshimeve për të bërë të mundur përfshirjen në Trupin Gjykues të gjyqtarëve me formim profesional: ekonomik, financiar, teknik, etj. Shembulli i vendeve të zhvilluara demokratike flet qartë për nevojën e mësipërme. Në rast të kundërt rrezikojmë, që pasi të kemi ndërtuar institucionin dhe përcaktuar procedurat, të dështojmë pikërisht nga mungesa e aftësisë profesionale të trupit gjykues për çështje, që detyrimisht do të kenë nevojë për thellim profesional shumë më të plotë. Rastet e paaftësisë profesionale të gjyqtarëve janë të shumta sot në përplasjet ndërmjet biznesit dhe shtetit”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›