E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Bankat të rrisin transparencën

16/09/2011  Informacioni i kufizuar para krizës çoi shumë individë në rreziqet që s’mund t’i përballonin

Sipas Guvernatorit Fullani, edukimi financiar krijon mjedis financiar më të sigurt

Ministri i Financave ka kërkuar më shumë transparencë nga ana e bankave në vendin tonë. Kreu i dikasterit të Financave, Ridvan Bode, gjatë fjalës në konferencën e Bankës së Shqipërisë me temë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”, u bëri apel bankierëve të rrisin nivelin e informimit ndaj publikut dhe të mos e ngatërrojnë atë me reklamën. Sipas tij, marrja e masave urgjente për rritjen e transparencës nga ana e sektorit financiar është kusht themelor për zhvillimin e tregjeve financiare. Sipas Bodes, ka probleme të bashkëpunimit me sektorin privat, çka ka sjellë probleme në pasjen e të dhënave të sakta për ekonominë dhe financat. “Informimi publik është i domosdoshëm. Shpeshherë ne ndodhemi përballë manipulimeve me dashje dhe zhvillimeve në tregjet financiare. Këto manipulime vijnë nga interesa të tregtarëve që operojnë në tregje dhe interes të mirëfilltë politik dhe kjo pasi ne krijojmë hapësira të dezinformimit, të lënies bosh të publikimit të të vërtetave dhe një fushatë më e mirë e informimit publik dhe informimit qytetar dhe zhvillimit të tregjeve financiare sigurisht që dekurajon dhe të tilla dezinformime të qëllimshme rreth zhvillimeve të tregjeve financiare në vendin tonë”, deklaroi ministri Bode. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i mëshoi më shumë rëndësisë së kulturës financiare për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Sipas tij, edukimi financiar krijon gjithashtu një mjedis financiar më të sigurt. “Financat dhe edukimi financiar shkojnë paralel me njëra-tjetrën. Financat janë të rrezikshme kur nuk zotërohet informacioni i nevojshëm. Shumë njerëz nuk mendojnë në terma financiare dhe nuk i kuptojnë drejtë përfitimet dhe kostot që rrjedhin nga përdorimi i kredisë bankare, apo efektet pasurore që rrjedhin nga pronësia mbi shtëpitë dhe mjete të tjera të ngjashme të përdorimit afatgjatë”, tha Fullani. Konferenca e 9-të “Të ndërtojë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare” u zhvillua në bashkëpunim me Bankën e Italisë. Banka e Shqipërisë ka nisur një fushatë edukimi, ku me mënyra të ndryshme jepen këshilla për financat personale dhe më gjerë. Guvernatori i Bankës Qendrore të Serbisë, Dejan Soskic, duke i mëshuar rëndësisë së edukimit financiar, tha se informacioni i kufizuar dhe kuptimi i mangët bëri që para krizës shumë individë të merrnin më shumë rreziqe se ç’mund të përballonin. Diskutime rreth temës mbajtën ekspertë nga Bankat Qendrore të Italisë, Polonisë dhe Çekisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›