E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Borxhi i Shqipërisë, i ulët. Ekspertët: Është shumë i lartë

Shtohet ankthi për krizën e pritshme të vitit 2012

Ekspertë të Bankës Botërore shkëmbyen replika me ministrin e Financave, Ridvan Bode, mbi nivelin aktual të stokut të borxhit publik në Shqipëri gjatë një konference të zhvilluar dje. Sipas Bankës Botërore, borxhi i Shqipërisë është “shumë i lartë,” e për rrjedhim, përbën një problem madhor të vendit. Por ministri Bode iu përgjigj me argumentin se borxhi shqiptar është i “mirëstrukturuar” dhe se nuk ka asnjë gjasë që vendi ynë të vihet në vështirësi.

Kryekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Intermit Gill, i mbërritur në Tiranë, deklaroi se niveli i borxhit publik në Shqipëri është shqetësues.

“Kur vendet me të ardhura mesatare arrijnë një nivel borxhi nga 40 në 60 për qind, bëhet subjekt të asaj që ne e quajmë rreziku i borxhit. Dikush mund të shohë nivelet e borxhit në vendet e zhvilluara të cilat janë edhe mbi 100 për qind dhe mund të thotë se pse edhe vendet si Shqipëria nuk mund të kenë një borxh të lartë. Por eksperienca tregon se vendet në zhvillim me të ardhura mesatare nuk mund të tolerojnë nivele të larta borxhi. Dhe në rastin e Shqipërisë duhet të bëhet shumë kujdes, sepse niveli i borxhit në Shqipëri është shumë më i lartë nga fqinjët tuaj të rajonit”, u shpreh Gill në një intervistë të dhënë për “Top Channel”.

Borxhi publik shqiptar arriti në 6.6 miliardë dollarë në fund të vitit të kaluar, e barabartë kjo me 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por problemi më i madh është vërejtur nga ekspertët e Standard & Poor’s, të cilët thonë se borxhi publik përbën aktualisht 220 për qind të të ardhurave vjetore të qeverisë. Për të dyja rastet, Bode dhe ekspertë të tjerë të Ministrisë së Financave thonë se logjika e përdorur nga BB është e pavlefshme në rastin e Shqipërisë.

“Dy të tretat e borxhit publik janë në lekë, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga kredi me interesa të ulëta dhe afatgjata të dhëna nga donatorët”, tha Bode dje.

Shqipëria ka më pak se gjysmë miliardi euro kredi me interesa tregtare, ndërsa kostoja e pagesës së interesave për kreditë e donatorëve të dhëna gjatë dy dekadave të fundit për projekte zhvillimi, janë shumë të ulëta për të krijuar shqetësime. Por pavarësisht këtij argumentimi, ekziston një problem shumë i madh i maturimit të një kredie tregtare në vitin 2012, gjë që mund të zhysë qeverinë në telashe të mëdha. Ministria e Financave parashikon se në atë vit, Shqipëria do të duhet të paguajë afro 900 milionë dollarë borxhe të faturuara dhe interesa të zakonshme, gjë që duket e papërballueshme për shkak se të ardhurat totale të buxhetit të shtetit janë rreth 2.5 miliardë dollarë. Plani i qeverisë është që të emetojë një borxh të ri për të shlyer atë të vjetrin, por ky skenar nuk është i sigurt. Plani për të emetuar eurobonde për të zëvendësuar borxhin që maturohet në 2012, dështoi muajin e shkuar. Banka e Shqipërisë i ka sugjeruar qeverisë të përgatisë një plan rezervë për shlyerjen e këtij borxhi, plan që duhet të marrë parasysh rrezikun e dështimit në eurobonde ose riskedulim. Edhe Partia Socialiste shprehu shqetësimin e vet dje në lidhje me këtë çështje. Deputeti Erion Braçe kërkoi që qeveria të sqarojë se si ka ndër mend ta shlyejë borxhin.

Debati se sa duhet të jetë niveli i borxhit publik është i hapur në të gjithë botën dhe askush nuk ka dalë në një konkluzion përfundimtar.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›