E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Borxhi publik më i ulët se parashikimet, ekonomia përballoi me sukses efektet e krizës

14-01-2012 / Gazeta 55

Ministria e Financave zhvillon analizën vjetore të vitit 2011

Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh dje se ekonomia shqiptare performoi pozitivisht, në kushtet kur e gjithë Europa u përfshi nga një stanjacion i dytë pas atij të vitit 2008-2009. “Ka qenë një vit jo i lehtë për ekonominë shqiptare, por ajo arriti të jetë vitale dhe konkurruese në rajon”- u shpreh Bode, gjatë analizës vjetore të Ministrisë së Financave. Sipas tij, buxheti i viti 2011 reflektoi objektivat e programuara duke mos çuar në rritjen e borxhit dhe deficitit publike ndërsa shtoi se trendi i të ardhurave në buxhet ka shënuar rritje për vitin 2011. “Të ardhurat në total llogariten 330.4 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet janë 376 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimet u rritën me 3.5 %, krahasuar me 2010-ën, ndërsa nga doganat me 7.5 %” - theksoi Bode. “Borxhi publik në vitin 2011 llogaritet rreth 59 % e PBB-së, ndërsa kosto e shërbimit të tij u ul me 3.1 %”, deklaroi ministri i Financave. Sipas tij, në vitin që vjen do të zbatohen politika me tendencë për të ulur më tej borxhin publik dhe defiçitin buxhetor. “Gjatë vitit që vjen niveli i defiçitit buxhetor parashikohet të shkojë në 3 % të PBB-së, ndërsa niveli i borxhit publik do të tentohet të normalizohet në parametrat e viteve 2007-2008”- u shpreh Bode.
Bode bëri të ditur se rreth 1/3 e buxhetit shkon për mbështetjen e shtresave sociale. “Qeveria mbështet shtresat më vunerabël, përmes rritjes së pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike, në mënyrë që ato të jenë më pak të goditura. Shpenzimet sociale në vitin 2011 arritën në 132.8 miliardë lekë”, theksoi Bode.
Ai theksoi se në vitin që lamë pas, investimet publike u realizuan në masën 96 %.
Sipas tij, investimet publike u rritën me 73 miliardë lekë në vitin 2011, krahasuar me 2010-ën, ndërsa vuri në dukje se investimet në infrastrukturë zunë vendin e parë. “Investimet publike rezultojnë rreth 4.2 % më të larta se në 2010-ën, ose 5.2 % e PBB-së, kur niveli optimal në kushte normale është 5 %”, deklaroi Bode.
Kreu i financave publike theksoi se në vitin 2011, huamarrja ishte burimi kryesor i financimit të deficitit. “Vëllimi i investimeve publike u financua me rreth 3.5 % nga huamarrja dhe 1.9 % me të ardhurat nga tatimet dhe doganat”, u shpreh Bode.
Ai theksoi se gjatë vitit që vjen ekonomia nuk do të përfshihet në krizë, pavarësisht zhvillimeve në eurozonë. Sipas tij, vëllimi i eksporteve në vitin 2012 parashikohet të rritet me 15 % krahasuar me 2011, ndërsa në 2011 u rritën me 30 %, krahasuar me vitin 2010. Nga ana tjetër, ministri Bode bëri të ditur se Ministria e Financave është në negociata me Bankën Botërore për kredinë 50 milionë dollarë.
“Ministria e Financave është në punë, merret me të gjitha me Bankën Botërore, me Bankën e Zhvillimit me Bankën e Shqipërisë me Ministritë e tjera dhe gjithçka tjetër, por të jeni të bindur që në të gjithë aktivitetet e përditshme ne udhëhiqemi nga interesi publik, nga interesi i ekonomisë shqiptare. Gjithçka që do të jetë me interes publik për vendin ne do ta materializojmë, gjithçka që ne do ta konsiderojmë të papërshtatshme ekonomikisht për vendin, sigurisht që nuk do ta pranojmë”, tha Bode.
Ndërkaq, Banka Botërore i ka ofruar Shqipërisë një paketë ndihme antikrizë, e cila mund të shkojë deri në mbi 100 milionë dollarë, në formë kredie. Në Tiranë ndodhen disa ekspertë të Bankës, të cilët po negociojnë me autoritetet mbi sektorët dhe drejtimet e mbështetjes financiare që lidhen si me borxhin publik, ashtu dhe me reforma në sektorin financiar, konkurrueshmërinë dhe instrumentet e rritjes ekonomike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›