E Diel, 1 Nëntor 2026

“100 vjetori i Pavarësisë, moment me rëndësi për të nderuar përpjekjet e kombit për liri”

14-01-2012 / Gazeta 55

Berisha – Hoxhaj: E ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës, në BE

“Festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë përbëjnë një moment të rëndësishëm për tu ndalur dhe nderuar historinë, sakrificat dhe përpjekjet e kombit për liri, pavarësi e dinjitet”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj.
Kreu i qeverisë shqiptare i shprehu ministrit Hoxhaj vlerësimet më të mira për faktin që shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës, është shndërruar dhe po shndërrohet përditë e më shumë në një faktor real të paqes, stabilitetit, sigurisë, bashkëpunimit e miqësisë në rajon. Ndërsa kryediplomati kosovar  shprehu mirënjohjen e qeverisë së Kosovës dhe të gjithë popullit të saj për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Kryeministri Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare e Shqipëria i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë kësaj periudhe, në veçanti për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, ashtu edhe për konsolidimin e rolit të merituar të Kosovës në bashkëpunimin rajonal e më gjerë.
Në takim u pohua vendosmëria e të dy qeverive për të eliminuar çdo pengesë burokratike, në mënyrë që midis qytetarëve të të dy vendeve t’u mundësohet intensifikimi më i lartë i lidhjeve e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, të biznesit, kulturore etj., në shërbim të interesit më të mirë e prosperitetit të tyre, si dhe të zgjerimit të bashkëpunimit të miqësisë në mbarë rajonin.
Në këtë kontekst, qeveritë e të dy vendeve do të punojnë ngushtësisht për të garantuar kuadrin më të përsosur ligjor në shkëmbimet midis dy vendeve, të njëjtë me atë që aplikojnë vendet e Bashkimit Evropian në marrëdhëniet mes tyre.
Më tej, kreu i ekzekutivit dhe ministri kosovar ripohuan vizionin e palëkundur të të dy vendeve se ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e gjithë rajonit është e mbetet integrimi i plotë në Bashkimin Evropian i Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit.
Në këtë kontekst, u vlerësua rëndësia e jashtëzakonshme që edhe qytetarëve të Kosovës t’u jepet mundësia për lëvizje të lirë në hapësirat evropiane ashtu si edhe të gjithë qytetarëve e tjerë të rajonit, çka do t’i shërbejë forcimit të stabilitetit në rajon dhe zgjerimit të bashkëpunimit të qytetarëve të Kosovës me ata të Bashkimit Evropian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›