Bode: Brenda 2009 japim 3 miliardë lekë
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se ka paraqitur amendamentet konkrete për të mos bllokuar procesin e shpërndarjes së fondeve për shtresën e ish të përndjekurve. “Janë mbi 30 milionë USD, që për këtë shtresë ndahen brenda këtij viti. Janë ndarë deri më sot 300 emra që janë të gjallë. Me futjen në fuqi të këtij ligji, 1440 dosje me vlerën 980 milionë lekë do të vihen në dispozicion në mënyrë automatike. Brenda muajit maj edhe fondi tjetër që kemi miratuar në vitin 2009 për rreth 25 milionë USD do të vihet në dispozicion të kësaj shtrese”, tha Bode në Parlament. Ai theksoi se, “jemi duke ndarë transhin e parë prej 1 miliard lekë të reja dhe janë për t’u ndarë me fondet e miratuara në Kuvend dhe 2 miliardë të tjera”. “Pra, janë tre miliardë lekë që duhet t’i ndajmë brenda këtij viti. Dhe ne kemi nevojë që këto t’i ndajmë. Po pritëm që t’i ndajmë në mënyrë të barabartë, do të thotë që të shpërbëjmë procesin e ndarjes, derisa të përfundojnë të gjitha përllogaritjet”, tha Bode.