E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri: Zgjedhjet në PD brenda 15 prillit

 

Partia Demokratike do të mbyllë brenda mesit të muajit prill zgjedhjet në të gjitha degët e saj, përfshi edhe degën e Tiranës. Këtë e bëri të ditur dje sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD, Ferdinand Xhaferri. Në daljen e tij të parë publike në këtë post, deputeti demokrat tha se dega e Tiranës në të gjitha zgjedhjet është lënë për në fund, çka do të ndodhë edhe këtë radhë. "Procesi pothuajse ka mbaruar në mbi 90 për qind të degëve dhe unë mendoj që deri nga mesi i muajit prill mund të përfundojë në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Procesi ka përfunduar në shumë degë të rëndësishme, si dega e Partisë Demokratike në Durrës, Vlorë dhe Korçë. Tirana është një traditë në Partinë Demokratike, që gjithmonë lihet në fund konferenca e Tiranës", theksoi Xhaferri. Ndërkohë zgjedhjet nuk janë zhvilluar ende në degën e Elbasanit, Shkodrës dhe Kavajës, të cilat pritet të mbyllen brenda pak ditësh. Për sa i përket degës së PD-së së Tiranës, deri tani zyrtarisht janë në garë të paktën pesë zyrtarë të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›