Bode: Brenda muajit do marrim 100 milionët e OSSH
Fabiola Cela
Brenda këtij muaji kompania çeke do të paguajë paratë për privatizimin e OSSH-së. Kështu është shprehur dje kreu i Financave, Ridvan Bode, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së huas së OSSH-së me Bankën Botërore. Po dje ministri ka reaguar edhe ndaj kredisë prej 250 milionë eurosh që ka marrë qeveria. Sipas tij, marrja e kredisë në këto kohë krize ndërkombëtare është marrë me kushtet më të mira të mundshme.
OSSH
Ministri Bode ka nënshkruar dje me Bankën Botërore marrëveshjen e garancisë prej 60 milionë euro për garantimin e projektit të privatizimit të OSSH–së. Banka Botërore ka marrë përsipër të garantojë financiarisht dhe me reputacionin e saj është fakti që Republika e Shqipërisë dhe organet e saj shtetërore do të respektojnë rregullat që tashmë janë të miratuara dhe pjesë e legjislacionit shqiptar. Gjatë firmosjes së marrëveshjes, ministri i Financave theksoi se kjo “kredi nuk shkakton asnjë kosto për buxhetin e shtetit, deri në momentin kur do të vërtetohet se pala shqiptare, qeveria, do të respektojë në mënyrë rigoroze deklaratën rregullatore të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike dhe qeveria shqiptare angazhohet me këtë rast që të respektojë këtë deklaratë rregullatore, në mënyrë që e gjithë kjo kredi prej 60 milionë euro të mos përdoret për të tilla veprime, por të jetë për t’u përdorur për modernizimin e sistemit energjetik në tërësi”. Ndërkohë, sipas Bodes, kompania çeke brenda muajit do t’i paguajë qeverisë shqiptare 102 milionë euro për privatizimin e OSSH-së.
Kredia
Kredia prej 250 milionë eurosh është marrë në kushte të mira. Sipas ministrit Bode, kjo kredi do merret në dy transhe. “Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi Euribor plus marzhi prej 9.65%. Niveli i kredisë reflekton interesat e tregut dhe si i tillë në treg nuk mund të thuhet kurrë që u mor shtrenjtë apo lirë, sepse çmimet përcaktohen nga tregu”, tha ai. Ndërkohë sipas ministrit, kredia është marrë për një afat trevjeçar, por në momentin që tregu ofron norma më të ulëta interesi, atëherë qeveria ka të drejtë që pas vitit të parë të prishë kontratën, pra të kthejë mbrapsht kredinë pa asnjë lloj penaliteti, as pagim interesash dhe as pagim gjobash a detyrime të tjera për prishje kontrate. Sipas ministrit, qeveria mundësoi marrjen e një kredie prej 250 milionë eurosh nga Deutsche Bank dhe Alpha Bank. Këto para do të injektohen në ekonominë shqiptare. Pjesa më e madhe e këtyre parave do të shkojë për financime në infrastrukturë.
Tirana Bank
Piraeus Bank Group, Tirana Bank është pjesë e marrëveshjes për kredinë 250 milionë euro me qeverinë shqiptare. Piraeus Bank Group, një ndër grupet bankare greke me prezencë të spikatur në vendet e Europës Juglindore, që zotëron dhe Tirana Bank, njofton pjesëmarrjen e tij në marrëveshjen për kredinë prej 250 milionë euro me qeverinë shqiptare. Piraeus Bank Group me pjesëmarrjen në këtë marrëveshje kredie dëshmon angazhimin e saj në ekonominë shqiptare dhe rikonfirmon prezencën e saj të fortë në tregun bankar shqiptar.