Tentojnë të vjedhin një dyqan, qëllohen me çifte nga pronari
Tiranë – Tentojnë në vjedhur një dyqan, por priten me armë nga pronari. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Babrru të Tiranës kur Shaban Xhebexhija 23 vjeç dhe Naim Beqiri 16 vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë tentuar të vjedhin dyqanin, në pronësi të 67-vjeçarit Sherif Ymeri. Burime nga policia thanë se Ymeri pasi i ka konstatuar autorët dhe me qëllim për t’i frikësuar ato, ka qëlluar në drejtim të tyre, dy herë në ajër me çifte, të cilën e posedonte me leje. Për pasojë mbeti i plagosur njëri prej autorëve të dyshuar Shaban Xhebexhija i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, pas sqarimit të rrethanave të saj kreu arrestimin e pronarit të dyqanit Sherif Ymeri, për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Gjithashtu iu komunikua masa e arrestit Shaban Xhebexhijas, dhe 16-vjeçarit Naim Beqiri për veprën penale të “Vjedhjes së mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, nga hetimet e mëtejshme të kryera nga seksioni Kundër Vjedhjeve ndaj Biznesit, u dokumentua tërësisht implikimi i dy të arrestuarve të cilët rezultojnë të jenë autorë në vjedhjen e dyqanit të gjuetarëve të ndodhur më datë 18 prill 2009 në rrugën e “Kavajës” në Tiranë.
Liqeni i Ohrit nxjerr në breg kufomën e 37- vjeçarit
POGRADEC - Liqeni i Ohrit nxori në breg kufomën e Arjan Liçkollarit, të denoncuar si i zhdukur 4 muaj më parë. Misteri i zhdukjes së 37-vjeçarit nga rrethi i Pogradecit është zbuluar mëngjesin e sotëm, teksa ujërat e liqenit kanë nxjerrë në breg kufomën. Mendohet që viktima të jetë vetëmbytur fill pas largimit nga shtëpia, në janar të këtij viti. Kufoma e Liçkollarit është gjetur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Tushemisht të Pogradecit, buzë liqenit nga disa peshkatarë. Policia lokale ka nisur hetimet, pas identifikimit të kufomës, ku sipas ekspertëve në të nuk janë konstatuar shenja dhune. Liçkollari ishte larguar nga shtëpia në 7 janar të këtij viti. Gjatë denoncimit nga të afërmit në polici, për zhdukjen e 37-vjeçarit që është nxjerrë në breg nga liqeni i dekompozuar, është mësuar se viktima vuante nga depresioni, ndërsa nuk ka pasur ndonjë konflikt të momentit me bashkëshorten apo prindërit e tij me të cilët jetonte. Vazhdojnë hetimet e policisë, ndërsa specialistët do të ekzaminojnë kufomën për të dhënë versionin e tyre zyrtar mbi mbytjen.
7 Maj 2009