Operacioni “Kasaforta”, vihen në pranga hajdutët e arkave të Picarit dhe Kurveleshit
Gjirokastër– Forcat e policisë së Gjirokastrës, pas operacionit të koduar “Kasaforta”, kanë mundur të vënë në pranga dy autorët e vjedhjes së kasafortës së komunës Kurvelesh dhe komunës së Picarit. Sipas të dhënave policore, ata janë 23-vjeçari Sali Goxhaj dhe 20-vjeçari Erion Stroka, që të dy banues në fshatin Valare të rrethit Gjirokastër, ky i fundit i dënuar edhe më parë për vjedhje me armë. Arrestimi i tyre u bë për arsye se të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë natës së sotme, kanë vjedhur me thyerje arkën e komunës Kurvelesh të Tepelenës, ku kanë marrë kasafortën në të cilën ndodheshin 350 mijë lekë, të cilat u përkisnin invalidëve dhe atyre që përfitojnë asistencë sociale, si dhe disa dokumente të tjera. Bëhet e ditur nga forcat policore se ata e kanë fshehur atë në vendin e quajtur Ura e Kozicës në afërsi të fshatit Nivicë. Më pas janë larguar në drejtim të qytetit Tepelenë për të marrë mjete më të forta për hapjen e kasafortës pasi nuk e kishin hapur dot. Nga informacionet e marra në rrugë operative, u bë e mundur kapja e tyre së bashku me automjetin tip Bens me targa SR 46 79 B, në vendin e quajtur kthesa e fshatit Bënçë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë e mundur gjetja e kasafortës si edhe sekuestrimi i lekëve apo sendeve të tjera të vjedhura. Gjithashtu, u dokumente me prova ligjore se këta dy persona një muaj më parë më, gjatë orëve të natës, kanë vjedhur me thyerje kasafortën e komunës Picar të rrethit Gjirokastër ku kanë marrë një shumë prej 680 mijë lekë. Me këto lekë kanë blerë automjetin tip Bens me targa SR 46 79 B dhe pjesën tjetër e kanë darë me njëri-tjetrin duke i shpenzuar në pabe dhe lokale nate. Policia ka sekuestruar me cilësinë e provës materiale automjetin tip Bens, 5 aparate celular, katër leva hekuri të cilat shërbenin për hapjen e kasafortave, si dhe kasaforta e Komunës Kurvelesh së bashku me 350 mijë lekë. Me urdhër të Prokurorit, lekët iu kthyen Komunës Kurvelesh pasi do t’u shpërndahen invalidëve dhe shtetasve të cilët trajtohen më asistencë sociale.
7 Maj 2009